Putinit i duhet një luftë e gjatë, dhe hezitimi i Perëndimit po ia ofron atë

Nga Keir Giles “The Guardian”


Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Sulmi i fundit i Rusisë ndaj objektivave civile në Ukrainë, duke shkaktuar të paktën 18 të vdekur në një qendër tregtare në Kremenchuk, larg vijës së frontit, mund të interpretohet si një mesazh për samitet e G7 dhe NATO-s në Gjermani dhe Spanjë.

Dhe ky mesazh është një nga sjelljet indiferente të Rusisë ndaj dënimit global të krimeve të saj. Moska nuk do të tërhiqet. Nga ana tjetër, kjo qasje mund të bazohet në besimin – e saktë apo të gabuar – se në një periudhë afatgjatë lufta do të shkojë sipas planeve dhe interesave të Rusisë. Në fakt, Rusia ka regjistruar disa përfitime territoriale. Ofensiva e saj në Ukrainën Lindore po përparon dalëngadalë duke shkatërruar gjithçka që gjen përpara.

Edhe në Perëndim, shumëkush po ndërgjegjësohet se ky konflikti nuk do të ketë një fund të shpejtë. Por lufta është zvarritur edhe më tej nga Rusia duke penguar me sukses mbështetësit perëndimorë të Ukrainës, që t’i japin asaj sistemet e armëve që i nevojiten, duke përfshirë më shumë municion, dronë, bllokues, radarë dhe mjete për të ndalur sulmet ruse me raketa me rreze të gjatë, si ato që janë parë edhe gjatë ditëve të fundit.

Mbështetja ushtarake për Ukrainën nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe aleatët e tyre, është zgjeruar në mënyrë graduale, duke përfshirë edhe sisteme më të fuqishme sulmuese siç është artileria me rreze më të gjatë. Por kufizimi më i madh për t’i dhënë Ukrainës pajisje që do t’i siguronin fitoren në këtë luftës, është frika se si do të reagojë Rusia.

Kritikët e nivelit aktual të mbështetjes perëndimore, thonë se ky kufizim është një shembull i vetë-frenimit të SHBA-së dhe të tjerëve, nga frika e provokimit të përshkallëzimit. Por realiteti është shumë më i thjeshtë. Fushata e vazhdueshme e kërcënimeve dhe kaosit nga ana e Rusisë po jep efektin e synuar: kundërshtarët e Moskës vazhdojnë të hezitojnë.

Koncepti i përhapur se provokimi i Rusisë do të çonte në pasoja katastrofike, është një fitore kyçe për Moskën. Përpjekjet për të penguar Perëndimin që t’i japë Ukrainës të gjithë mbështetjen që i nevojitet për të kthyer fatin e luftës, konfirmon edhe një herë se për Vladimir Putinin inferioriteti ushtarak i Rusisë përkundrejt Perëndimit, mund të kapërcehet përmes frikësimit të vendeve perëndimore.

Në fakt, frika e shprehur qartazi nga Perëndimi ndaj përshkallëzimit të situatë, i tregon Rusisë se kërcënimet funksionojnë, pavarësisht se sa të pabesueshme mund të jenë ato, apo sesa shpesh kanë rezultuar boshe. Tashmë është bërë një cikël i lodhshëm i përsëritur premtimesh për asgjësimin bërthamor nga ana e Moskës.

Për shembull kohët e fundit në televizionin shtetëror rus u diskutua mbi sulmin bërthamor ndaj Holandës. Kërcënimet bërthamore të Rusisë do të vazhdojnë për aq kohë sa ato janë efektive në pengimin e dhënies së mbështetje ushtarake të duhur nga ana e Perëndimit për ta fituar luftën.

G7 mund të ketë bërë deklaratën e duhur për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën “për aq kohë sa do të duhet”. Por sfida më e madhe e Ukrainës, mbetet përpjekja për të bindur mbështetësit e saj ndërkombëtarë, që të përputhin fjalët me veprat.

Përveç kësaj, ekziston një mospërputhje të habitshme e synimeve dhe prioriteteve midis dy palëve. Ndërsa Rusia e ka bërë të qartë se çfarë dëshiron nga lufta – zhdukjen e Ukrainës si një komb i pavarur, dhe rivendosja e fuqisë perandorake ruse mbi fqinjët e saj – mbështetësit perëndimorë të Ukrainës janë të hutuar dhe të ndarë për mënyrën se si duan që të përfundojë kjo luftë, dhe çfarë duan që të ndodhë me Rusinë.

Kjo paqartësi blen kohë për Rusinë. Presidenti Zelenskiy deklaroi në samitin e G7-ës, se dëshiron që lufta të ketë përfunduar deri në fillimin e dimrit. Dhe kjo për arsye të kuptueshme. Evropa është ende larg distancimit nga energjia ruse, dhe një dimër i dhimbshëm me çmime më të larta të energjisë, do t’u tregonte evropianëve koston e vërtetë për mbështetjen e dhënë Ukrainës në këtë konflikt.

Por nuk është vetëm energjia, ajo që mund të shfrytëzojë Rusia për t’i nxitur vendet e treta që të lobojnë për arritjen sa më shpejt të paqes me koston e sakrifikimit të Ukrainës. Shantazhi ushqimor ndaj pjesës tjetër të botës përmes bllokadës detare të Rusisë, është një tjetër taktikë që po i sjell sukses Moskës.

Ukraina ka pohuar se gjendet nën presionin e shteteve në Afrikë dhe Azi për t’u dorëzuar. Këto të fundit janë të alarmuara për ndërprerjen e furnizimit me drithë. Ndërkohë edhe Rusia po vuan kostot e luftës së saj, në formën e pasojave nga sanksionet ekonomike. Por degradimi i ekonomisë dhe industrisë ruse nuk do të ndodhë aq shpejt sa të ndikojë në ecurinë afatshkurtër të konfliktit.

Edhe në aspektin ushtarak, Rusia mund të jetë në gjendje t’i mbijetojë rezistencës ukrainase

dhe durimit perëndimor. Vlerësime nga ekspertë me emër, thonë se Rusisë po i mbarojnë burimet njerëzore të trajnuara në aspektin ushtarak. Por si me shumë gjëra të tjera, kjo është një sfidë më pak përfundimtare për Rusinë, sesa do të ishte për fuqitë e tjera.

Indiferenca tradicionale ruse ndaj numrit të viktimave të shkaktuara gjatë ndjekjes së qëllimeve të luftës, po tregohet qartazi në gatishmërinë e saj për të hedhur në luftë rezervistët dhe rekrutët me pagesë gjysmë të stërvitur apo të pastërvitur fare, përfshirë edhe ata që janë rekrutuar me forcë nga territoret e pushtuara (një tjetër krim lufte ky nga ana e Rusisë).

Janë pikërisht këto forca më të mëdha të fuqisë ekonomike, ushtarake dhe politike, ato që do të përcaktojnë rezultatin e luftës, dhe jo suksesin apo dështimin e operacioneve lokale, siç është për shembull pushtimi i Severodonetsk, që e ka tronditur audiencën perëndimore për javë të tëra.

Rusia duket e sigurt mbi faktin se ku qëndron ekuilibri i fuqisë. Vetë forcat e armatosura të Ukrainës mbeten të përkushtuara ndaj luftës. Por që kjo të vazhdojë, ato duhet të mbeten të bindura, se kanë një shans të arsyeshëm suksesi në parandalimin e fitores ruse.

Çdo refuzim nga ana e partnerëve perëndimorë për të siguruar mjetet për të mbajtur ose rifituar territorin ukrainas, e zbeh më tej këtë shans. Për sa kohë që Evropa dhe SHBA-ja mbeten hezituese dhe të rezervuara, për t’i dhënë Ukrainës armët që i nevojiten, me synim përfundimin e këtij konflikti – ose të paktën t’u shkaktojnë trupave ruse dëme të mjaftueshme, që të ndryshojë perceptimi i Putinit mbi fitoren e mundshme – është e vështirë të shihet se si një fund i shpejtë i luftës do të shkojë në favor të Ukrainës. Ndërkohë do të vazhdojnë sulmet e egra ndaj civilëve dhe infrastrukturës jetike ukrainase.