Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska sot në suaza të Samitit të NATO-s i cili mbahet në Madrid ishte pjesë e panel diskutimit “Kontributi i NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin në fqinjësinë e tij”, dhe në këtë temë debatoi së bashku me ministrat e Mbrojtjes të Portugalisë dhe Bullgarisë, Helena Kareiras dhe Dragomir Zakov dhe kryesuesi i komitetit ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer.

Siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes, Petrovska në fjalimin e saj theksoi se ky samit i NATO-s është mundësi e shkëlqyer të dërgohet mesazh për unitet të vendeve demokratike në mbrojtje të demokracisë dhe vlerave të saj dhe të mbrohet rendi ndërkombëtar në bazë të rregullave.

“Gjatë panelit ministrja diskutoi për forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes afatgjatë të NATO-s, dhe në një epokë të konkurrencës strategjike”, theksoi se partneriteti i NATO-s dhe BE-së është nga vlera thelbësore për sigurinë dhe prosperitetin në zonën euroatlantike me ç’rast dialogu politik ndërmjet dy organizatave mbetet nga vlera thelbësore për thellimin e këtij bashkëpunimi”, theksohet në kumtesë.

Duke iu referuar rëndësisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, Petrovska theksoi se ky rajon është pjesë e rëndësishme e arkitekturës së sigurisë evropiane dhe se stabiliteti nuk duhet parë si një fakt i vërtetuar njëherë e përgjithmonë.

Petrovska shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me ndikime të jashtme në rritje, si kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, fushatat e manipulimit të informacionit që kontribuojnë në nxitjen e nacionalizmit.

“Ballkani Perëndimor është një pjesë shumë e rëndësishme e sigurisë evropiane dhe për këtë arsye është e nevojshme që NATO së bashku me BE-në dhe partnerët e tjerë të vazhdojnë të forcojnë sistemet e mbrojtjes, të bëjnë çdo përpjekje për të përshpejtuar reformat dhe të gjejnë zgjidhje inovative për të kapërcyer çështjet e hapura për integrimin e plotë euroatlantik të rajonit. Tani më shumë se kurrë në integrimin euroatlantik dhe evropian të rajonit duhet parë si mjet për përmirësimin e sigurisë, dhe vetë integrimi do të kontribuojë drejtpërdrejt në parandalimin e ndikimeve hibride të jashtme”, thekson Petrovska.

Ministrja Petrovska shtoi se Republika e Maqedonisë së Veriut edhe pse prej para dy vitesh është anëtare e Aleancës, nga vetë fillimi i misionit të KFOR-it në mënyrë aktive kontribuon për mbajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, por edhe në Bosnja e Hercegovinë, sepse stabiliteti i Rajonit është parakusht bazë për zhvillim.

Sipas Petrovskës, këto diskutime do të japin kontribut të fuqishëm për gjetjen e mekanizmave adekuat në ballafaqimin me kërcënimet dhe sfidat bashkëkohore, por të njejtat do të kontribuojnë edhe për adaptim adekuat dhe të shpejtë të Aleancës për dekadën e ardhshme.