Kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, ka deklaruar se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë hapur para Miroslav Lajçak, se ‘Prishtina është e gatshme të fillojë diskutimin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kur të arrihet marrëveshja për energjinë’.

Kështu shkruan kosovo-online, të jetë shprehur, Petkoviq për RTS, ndërsa citojnë reagimin e tij tutje:

”Ne arritëm të biem dakord për energjinë me udhërrëfyesin, që do të thotë se rruga është e hapur për bisedimet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, përcjell klankosova.tv.

Ai po ashtu ka folur edhe për nënstacionin e Vallaqit, për të cilin tha se ‘nuk bëhet fjalë se i kujt është por ai është serb, siç është edhe kompania ”Elektrosever” ‘.

Ai ka treguar gjithashtu një letër nga Miroslav Lajçak në të cilën sipas tij shkruan se ‘’Elektrosever do të jetë përgjithmonë i pranishëm në Vallaq’’.

”Përveç udhërrëfyesit kemi edhe dy dokumente, gjegjësisht një letër të përfaqësuesit për dialog, Miroslav Lajçak, në të cilën thuhet se ‘Elektrosever do të jetë i përhershëm në Vallaq, kjo ishte vija jonë e kuqe’. Me këtë shkresë dhe garanci i është njohur statusi operatorit Elektrosever, punëtorët e tij do të jenë të përhershëm të pranishëm në Vallaq, që do të thotë se askush nuk mund të hyjë në Vallaq. Askush nuk mund ta marrë Vallaqin”.

”Kjo garanci parasheh që Elektrosever të jetë prezent në mënyrë të përhershme në Vallaq dhe se vetëm bashkë me të KOSTT-i dhe KEDS-i si operatorë, mund të kenë qasje në Vallaq”, ka thënë Petkoviq.