Në shërbim të ushtrisë hynë 29 toger të rinj

Njëzet e nëntë kandidatë kanë fituar gradën toger dhe do të hyjnë në shërbim të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostolski” – kazerma “Goce Dellçev” në Shkup, sot u mbajt ndarja formale e certifikatave me rastin e përfundimit të kursit gjashtëmujor për aftësimin profesional të oficerëve për shërbimet e ushtrisë dhe avancimin në toger.

Certifikatat janë rezultat i konkursit për regjistrimin e kandidatëve me cikël të parë të përfunduar të studimeve në inxhinieri mekanike, elektroteknikë, teknologji kompjuterike dhe informatikë, arkitekturë, urbanistikë dhe planifikim, ndërtim dhe ekonominë e ujërave, shkenca mjekësore dhe shëndetësi – mjekësi e përgjithshme, teknologjia ushqimore, tekstil, trafik dhe transporti, veterinari, psikologji, shkencat ekonomike apo juridike për formimin dhe zhvillimin profesional për nevojat e ministrisë dhe ushtrisë e cila u botua vitin e kaluar.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, u tha togerëve se ata kanë zgjedhur një profesion shumë të vlerësuar dhe të respektueshëm, i cili, siç tha ai, “do t’i shërbejë atdheut tonë”.

“Po bëheni pjesë e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila me meritë është në piedestal si institucion me besimin më të madh te qytetarët. Jam i bindur që ju, si dhe kolegët tuaj, e meritoni dhe çdo ditë që kalon, me çdo detyrë të kryer do ta justifikoni atë besim në mbrojtje, në ushtri, tha zëvendësministri.

Ai tha se ishte i kënaqur që trendi në atë që ai e quajti “një segment jashtëzakonisht i rëndësishëm i mbrojtjes – barazia gjinore dhe perspektiva gjinore” vazhdon të rritet.

“Mes jush janë 17 burra dhe 12 gra. Le të jetë ky shembull dhe dëshmi se profesioni ushtarak është një profesion që nuk sheh gjini, por vetëm cilësi, përkushtim, motivim. Vazhdoni të jeni më të mirët, sepse kjo është rruga e vetme drejt suksesit”, tha Hasani.

Ai theksoi se ne nuk jemi më të mëdhenjtë në NATO, as më të fortët ushtarakisht, por “së bashku me të gjithë ushtrinë dhe strukturën e mbrojtjes mund të jemi më të shpejtë dhe më ambicioz”.

Zëvendësministri po ashtu informoi se me propozim-ndryshimet e reja në Ligjin për shërbimin në ushtri, të cilat bashkërisht janë harmonizuar me të gjitha sindikatat e mbrojtjes dhe janë dorëzuar në Kuvend për procedurë përfundimtare, është bërë një shtesë në pjesën e bursave për të rinjtë që studiojnë dhe shkollohen për të ashtuquajturat specialitete kritike – fusha që i duhen ushtrisë dhe mbrojtjes sonë, ndërsa nuk i kemi mjaftueshëm.

“Bursa do të jetë e destinuar për ciklin e parë të studimeve akademike dhe do të mbulojë të gjitha vitet e studimit. Personat e përzgjedhur do të pajisen me bursa studimi në masën deri në 80 për qind të pagës mesatare mujore neto në vend, në varësi të vitit të studimit që do të ndahen dhe pas diplomimit, bursistët do të punësohen për të shërbyer në ushtri duke lidhur një kontratë pune, sqaroi Hasani.