Në vitin 2021 është regjistruar bilanci më i ulët i viktimave nga aksidentet me motoçikleta në 15 vitet e fundit. Sipas MPB-së ky rezultat vjen falë sensibilizimit të qytetarëve dhe vozitësve për mbajtjen e helmetave dhe respektimin e rregullave në komunikacion.

Në vitin 2021 janë regjistruar 116 viktima, ndërsa në katër muajt e parë të vitit 2022 janë evidentuar 26 viktima, bilanc që sipas MPB-së është për 30 për qind më i ulët. Veçmas fushatës për vetëdijesim , MPB-ja paralajmëron edhe kontrolle të shtuara.

“Mbani helmetë dhe kujdesuni për jetën tuaj. Ka shumë raste të aksidenteve kur motoçiklistët kanë mbijetuar falë helmetave. Për këtë arsye ju bëjmë apel që të mbani helmeta dhe të shpëtoni jetën tuaj. Si MPB do të vazhdojmë bashkërisht me Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacion të sensibilizojmë qytetarët por edhe të ndërmarrim masa më rigoroze për respektimin e ligjit”, tha Toni Angellovski, Zëdhënës i MPB-së.