Bashkimi Evropian gjithmonë ka qenë dhe do të jetë projekti më i rëndësishëm politik dhe paqësor. Nëse ky nuk do të ishte shkas, aspak nuk do të flisnim për perspektivat ukrainase, për bashkëngjitjen e të gjitha shteteve nga partneriteti lindor. Prandaj, është me rëndësi ta kemi në mendje se BE-ja është ende një projekt shumë politik dhe paqësor, sesa vetëm ekonomik ose projekt i tregut të përbashkët, theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq në sesionin e titulluar “Ballkani Perëndimor – menaxhimi me kohërat turbulente” në kuadër të ditës së dytë nga Forumi i Prespës për dialog.

Ai e potencoi rëndësinë e kredibilitetit të BE-së, perspektivën për të gjitha vendet e rajonit, në pajtim me avancimin e tyre në reformat e brendshme dhe shtoi se politika e zgjerimit është në krizë dhe prandaj nevojitet një plan i qartë për zgjerim për Ballkanin Perëndimor.

Zëvendëskryeministri Mariçiq, informojnë nga SÇE-ja, tha se nevojitet proces më dinamik i aderimit i cili do t’i mundësojë shoqërive dhe qytetarëve tanë shoqërim dhe solidarizim më të madh, shumë më shumë ta përgatitë për anëtarësim.

“Kemi dëgjuar për idetë për aderim në faza, diçka që do ta bëjë procesin e aderimit shumë më dinamik dhe më të dobishëm për kandidatët dhe mund të pranojmë se kjo me të vërtetë na nevojitet sa më shpejtë të jetë e mundur”, theksoi Mariçiq.

Panelistë në këtë sesion ishin Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës, Alesh Hmelar, zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Çekisë, Megi Fino, përfaqësuese speciale e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Stjuart Piç, përfaqësues special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, përfaqësues special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Johanes Ajgner, përfaqësues special i Austrisë për Ballkanin Perëndimor, ndërsa përmes video mesazhit fjalime patën Pjero Fasino, kryetar i Komisionit për punë të jashtme të Parlamentit italian dhe Kleman Bon, sekretar shtetëror për çështje evropiane në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Francës.

Në fokus të diskutimit ishte ndikimi i ngjarjeve më të reja gjeopolitike ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, vullneti politik të shkojë mbi dihotominë sterile midis perspektivës evropiane dhe procesit kredibil të aderimit të vendeve të rajonit, nevoja për tejkalimin e “pavendosmërisë” gjeostrategjike të BE-së, si dhe vlerë e shtuar të cilin vendet e rajonit ia japin Unionit.