Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se opozita po manipulon me konceptin e varfërisë. Sipas tij, iniciativa e tërheqjes së mjeteve të 30 për qind është e rrezikshme.

Ai në fjalën hyrëse para mbledhjes së Qeverisë tha buxheti i Kosovës është i qytetarëve, porse nuk mund të harxhohet për të mbuluar krizën e sotme.

“Ne nuk kemi pse e mbështesim një nismë të tillë. E kemi thënë shumë qartë, jemi kundër sepse hapet dera për më shumë dhe pastaj të ngelim pa asgjë. Ajo pakicë që ka shumë, përfiton pak për mos të thënë aspak. E ritheksoj se Qeveria e Kosovës nuk e mbështet një nismë të tillë”, ka deklaruar ai.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti deklaroi se pensionet nuk janë për tani por për pleqëri.

“Nga mbi 630 mijë llogari që janë të hapura në trustin pensional, 90 për qind e tyre i kanë më pak se 10 mijë euro të akumuluara. Janë këta që po keqpërdorin për përmasat e krizës. Ata po manipulojnë me konceptin e varfërisë ku nuk bëjnë pjesë vet. Buxheti i Kosovës pas gjashtë vjetësh është i qytetarëve, por nuk mund ta harxhojmë sot për të mbuluar krizën e sotme. Nëse e rrënojmë pleqërinë për një problem afatshkurtër në situatën ku ngjallën panik të paqenë… Nisma e mundësimit ka ardhur nga një deputet i opozitës, i cili në një prononcim medial ka thënë se po të donte FMN-ja do të na jepte mjete t’i shpërndanim dhe nuk do i preknim mjetet e Fondit. Ja se kush po merret me financa”, ka thënë ai.