Dy nga lokalet e sulmuara në Oslo janë nën pronësi të dy shqiptarëve nga Tetova

Dy nga tre lokalet të cilat u sulmuan mëngjesin e djeshëm në Oslo të Norvegjisë, ku dy persona humbën jetën dhe 21 u plagosën, janë në pronësi të dy shqiptarëve nga Tetova, shkruan Portalb.mk.

Bëhet fjalë për lokalin Per på hjørnet, ku në terracën e të cilit ku u vranë dy persona nga sulmi dhe lokalin London Pub. Pronarët e këtyre dy lokaleve në qendër të kryeqytetit norvegjez janë kushërinj. Ndërkaq lokali i tretë i cili u sulmua ishte Herr Nilsen, një klub xhazi si dhe rrugët përreth.

Pronari i London Pub, tregoi se si i shpëtuan breshërit të plumbave nga pushka dhe pistoleta e përdorur nga Zaniar Matapour (personi që kreu sulmin).

“Unë isha jashtë dhe isha rrugës për në magazinë dhe kalova pranë kafenesë në natyrë kur dëgjova të shtënat. Fillimisht nuk e kuptova se çfarë ishte dhe mendova se ishte një gozhdë porcelani apo ndonjë zhurmë tjetër, por më pas pashë që një mysafir në tarracën e jashtme u rrëzua. Pastaj pashë në “Per på hjørnet” dhe se ata që ishin në tarracën e jashtme u ngritën dhe vrapuan në panik. Mund të isha qëlluar vetë nëse do të qëndroja një metër më tutje drejt ndërtesës. Unë vetë nuk pashë shumë nga ajo që ndodhi, por e mora vesh më vonë nga shumë dëshmitarë. Është absolutisht e tmerrshme. Të gjithë jemi të tronditur dhe të pikëlluar nga ajo që ka ndodhur”, sqaroi pronari i London Pub Oslo- Avni Fetishi për Dagbladet.

Gjatë sulmit nuk pati të lënduar apo të vratë nga punonjësit e lokaleve.

“Të shtënat janë absolutisht të tmerrshme dhe të ligë. Lutjet tona shkojnë te të vdekurit, të plagosurit dhe të afërmit. Të gjithë punonjësit e London Pub janë të sigurt dhe të padëmtuar fizikisht. Kujdesuni për njëri-tjetrin gjatë kësaj kohe”, njoftuan nga London Pub Oslo.

“Të gjithë jemi të tronditur nga të shtënat masive të natës, por për fat të mirë të gjithë punonjësit tanë janë të sigurt. Lutemi për familjet dhe miqtë e të ndjerëve”, njoftuan nga Pjer på hjørnet,.

Dy persona u vranë dhe 21 të tjerë mbetën të plagosur, mes të cilëve 10 në gjendje të rëndë. Autori i dyshuar, është norvegjezi Zaniar Matapour, 42-vjeçar me origjinë iraniane, i cili është i njohur për shërbimet norvegjeze. Ai u arrestua pesë minuta pas raportimit të të shtënave. Autoritetet norvegjeze dyshojnë se sulmi ka qenë akt terrorist.

Të shtënat ndodhën vetëm disa muaj pasi Norvegjia shënoi 50 vjet vjetorin nga heqja e një ligji që kriminalizonte seksin mes homoseksualëve. Si rezultat i këtij sulmi në Oslo u anulua parada e LGBTQI+ e cila ishte planifikuar për dje.

Ndërkaq, policia norvegjeze ka forcuar praninë e saj në kryeqytet për të parandaluar incidente të tjera të mundshme.

Kombi nordik prej 5.4 milionë banorësh ka shkallë më të ulët të krimit se shumë vende perëndimore, megjithëse ka përjetuar të shtëna të motivuara nga urrejtja, duke përfshirë sulmin e ekstremistit të ekstremit të djathtë Anders Behring Breivik, i cili vrau 77 njerëz në 2011.