Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, kancelari gjerman Olaf Scholz përmendi përpjekjet e Kosovës dhe të Serbisë për anëtarësim në BE. “Marrëveshja duhet të qartësojë përfundimisht edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që reciprokisht nuk e njohin njëri-tjerin, të bëhen anëtarë të BE-së”.

Kjo deklaratë për njohjen e Kosovës shkaktoi zemërim në Beograd. Pas takimit me Scholz-in presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçic tha se nuk reagojnë ndaj presionit.

“Degjuam për herë të parë këtu se BE-ja kërkon njohje reciproke. Nuk e kishim dëgjuar këtë në Europë- ajo që na është thënë deri tani si pjesë e platformës së negociatave, është se duhet të ketë një normalizim të përgjithshëm të relative mes Beogradit dhe Prishtinës. Askush nuk kishte folur për njohje reciproke, përveç amerikanëve që e adoptuan këtë doktrinë tre vjet më parë.”– tha Vuçiç

Scholz-i reagoi me qetësi ndaj zemërimit të Vuçiçit në konferencën e përbashkët për shtyp duke nënvizuar se “tha diçka që është e qartë dhe se ndoshta kjo do të ndihmojë.” Kancelari theksoi edhe një herë se synimi i tij është që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE “sa më shpejt të jetë e mundur.” Nga ana tjetër, pa ngritur tonet, ai i kujtoi Serbisë se prej saj pritet ndyrshimi i kursit të politikës ndaj Moskës.

“Kushdo që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian duhet t’i pranojë të gjitha direktivat dhe rregullat e lidhura me të. Ne presim që sanksionet të zbatohen edhe nga ato vende që janë të përfshira në procesin e anëtarësimit në BE”.- tha Scholz

Top Channel