Kylian Mbappe ka arritur marrëveshje me Real Madridin.

Lajmin e ka konfirmuar portali i njohur sportiv “Goal”.

Por, zyrtarizimi i këtij transferi pritet të ndodhë vetëm pas finales së Ligës së Kampionëve.

Futbollisti francez ka kontratë me Paris Saint-Germainin vetëm edhe një muaj dhe pastaj do të jetë lojtar i lirë dhe do t’ju bashkohet “Los Blancos”.

Parisienët janë munduar në të gjitha mënyrat për ta bindur lojtarin që të qëndrojë në kryeqytetin francez, por ai është i vendosur për ta realizuar ëndrrën e fëmijërisë.

PSG-ja do ta zhvillojë ndeshjen e fundit sezonale ndaj Metzit më 21 maj dhe pas pak ditësh pritet të bëhet zyrtarizimi i transferimit të ish-futbollistit të Monacos në “Santiago Bernabeu”, shkruan “Gazeta Express”.

Kampioni i botës me Francën pritet të nënshkruajë kontratë afatgjate me madrilenët, ndërsa rroga e tij vjetore pritet të jetë 25 milionë euro.

Ai po ashtu do t’i marrë fillimisht 100 milionë euro si bonus për transfer.