Shqiptarët nuk e pranuan unionin e Kasamit me VMRO-në!

Pas publikimit të fotografisë nga portali indeks.mk, kreu i Lëvizjes Besa është detyruar që sot të japë spjegim se çfarë biseduan javë më parë me Mickoskin.

Ai ka thënë se me kreun e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski kanë biseduar për mundësitë që të imponohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Pasi pa reagimet e shqiptarëve, anti-VMRO, Kasami ndryshoi mendje por nuk u shpreh kundër, megjithatë tha se do të mendojë më gjatë për koalicion me Mickoskin sepse siç tha është tradhëtuar njëherë nga LSDM-ja.

“Pas tradhtisë që i ndodhi Lëvizjes Besa apo pas mos realizimit të marrëveshjes së nënshkruar me të cilën ne u bëmë pjesë e qeverisë dhe ne kryeministrit Zaev i dhamë një mundësi që të jetë në krye të qeverisë, ne do të mendojmë dy herë për ndonjë marrëveshje të re eventuale për ndonjë koalicion parazgjedhor, ndoshta edhe tre herë, por ne jemi parti politik, nuk i mbyllim dyert e bashkëpunimit me asnjë parti politike, por në këtë rast përvoja e hidhur me koalicionin parazgjedhor na imponon që vendimi të jetë shumë më mirë i paramenduar”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Kreu i Besës fton të gjitha partitë opozitare shqiptare që të ulen bashkë dhe siç thotë njëherë e përgjithmonë të bëhet rotacioni politik edhe tek shqiptarët.

“Ne si lëvizje Besa jemi të përkushtuar që t’i bëjmë të gjithë kompromiset e nevojshme me të gjitha partitë shqiptare opozitare jashtë BDI-së, që të ulemi dhe të ndërtojmë një bllok të fuqishëm opozitar, mund të shfrytëzoj rastin të ftoj të gjitha partitë jashtë Bashkimit Demokratik për Integrim të ulemi të dakordohemi t’i largojmë kërkesat personale për pozicionim eventual dhe njëherë e përgjithmonë ta sjellim ndryshimin dhe të ketë rotacion edhe tek pjesa shqiptare”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa. Në zgjedhjet e fundit parlamentare Lëvizja Besa lidhi koalicion parazgjedhor me LSDM-në, me të cilën mori katër deputet, por pas zgjedhjeve lokale koalicioni u prish dhe Besa doli nga Qeveria. Kohëve të fundit Besa është duke pasur takime me VMRO-DPMNE-në opozitare, të cilën po e ndihmon edhe me bllokimin aktiv të Kuvendit përmes dy deputetëve të saj.