Shkolla në Bllacë të Poshtme, Shaqiri: Nga shtatori fëmijët nuk do të mësojnë më në Kosovë

Nga shtatori i këtij viti, fëmijët e moshës shkollore nga fshati Bllacë e Poshtme i komunës së Çuçer Sandevës nuk do ta ndjekin më mësimin në shtet tjetër, përkatësisht në një zonë kufitare në Kosovë ku gjendet shkolla e tyre më e afërt, por do të mësojnë në një objekt në vendlindjen e tyre që është në ndërtim e sipër dhe aktivitetet ndërtimore janë kah fundi.

“Me këtë investim ne i japim fund një absurditeti dhe një padrejtësie për nxënësit tanë të cilëve shteti duhet t’u sigurojë kushte për mësim dhe jo t’i detyrojë të mësojnë jashtë kufijve të vendit”, kështu deklaroi ministri i arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri gjatë vizitës së sotme në vendbanimin Bardhi në Bllacë të Poshtme ku me buxhet prej 4.7 milionë denarë, Ministria e arsimit dhe shkencës po ndërton objektin e shkollës fillore “Mihal Grameno”.

“Objekti i ri do të fillojë të funksionojë në vitin e ardhshëm shkollor 2022-2023 dhe do të nënkuptojë zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen fëmijët e këtij vendbanimi të cilët prej vitesh vijojnë mësimin në një shkollë që ndodhet në anën tjetër të kufirit me Kosovën, më saktë në Han të Elezit.

“Aktivitetet janë drejt përfundimit. Kemi një marrëveshje me kontraktorin e ndërtimit sipas së cilës deri në fund të këtij muaji objekti do të ndërtohet plotësisht dhe më pas do të fillojmë me pajisjen e brendshme. Nga shtatori, fëmijët e lagjes Bardhi do t’i gëzohen ambienteve të reja dhe faktit që nuk do të udhëtojnë më përtej kufirit, dhe prindërit do të jenë shumë më të qetë”, tha Shaqiri, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Çuçer Sandevës, Sashko Komnenoviq.