SASHK-MASH: Rritja e pagave në arsim për 15%

Rritje prej 15% të pagave në arsim nga Shtatori, dakorduan SASHK-u dhe Ministria e Arsimit. Në kuadër të negociatave që gjatë 20 ditëve të kaluara zhvillohen përmes ndërmjetësit, mbrëmë është dakorduar që të mos shkurtohen pagat e mësimdhënësve grevistë, kurse janë saktësuar marrëveshjet kolektive dhe është dakorduar që në të ardhmen gjatë përpilimit të buxhetit bashkërisht të bisedohet edhe me Sindikatën, raporton KlanMacedonia.


“Në kushte të krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike, punonjësve në arsim, përmes marrëveshjeve kolektive do t`u mundësohet harmonizimi me pagën minimale si dhe përfitime tjera” – shkroi në facebook kryeministri Kovaçevski

Thirrje SASHK-ut për ta pranuar ofertën kanë bërë edhe nga LSDM-ja.

“I bëjmë thirrje SASHK-ut që shpejtë dhe plotësisht t`I pranojë kushtet e dakorduara, e më pas ta nënshkruajë marrëveshjen, që institucionet kompetente t`I vazhdojnë aktivitetet e nevojshme për realizimin e ngritjes së pagave” – deklaroi Sanela Shkrijelj, deputete e LSDM-së.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Qeverisë dhe Sindikatës për arsim, shkencë dhe kulturë.

”Bashkimi Demokratik për Integrim sistematikisht është angazhuar për përmirësimin e standardit jetësor të punonjësve të arsimit me ç’rast rikujtojmë se kësaj rritje prej 15 për qind i ka paraprirë një rritje kumulative prej 21 për qind nga viti 2017 periudhë kjo kur me dikasterin e arsimit ka udhëhequr kuadër i BDI-së” – thonë nga BDI.

Ndryshe mendojnë nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas një postimi në Facebook të Vesna Janevskës, qeveria LSDM-BDI edhe njëherë dëshmoi paaftësinë.

“Në vend të 18% nga Shtatori ofrohet 15% e rritjes së pagave. Punonjësve nëpër Çerdhe ua ka zvogëluar pagat për Prillin, me çka i ka vënë në pozitë jo të barabartë me mësimdhënësit respektivisht ka zbatuar diskriminim në pagesën e rrogave të grevistëve”

Greva e mësimdhënësve dhe punonjësve nëpër cerdhe nisi më 11 Prill, me kërkesë për harmonizimin e pagave me rrogën minimale. Qeveria ofroi rritje fillimisht prej 10% e më pas me 12% por kjo nuk u pranua nga SASHK-u. Më 26 Prill u pezullua greva nëpër cerdhe, kurse më 28 Prill edhe në arsim, pasi SASHK-u u njoftua nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale se Ministria e Arsimit kërkon zgjidhjen e kontestit përmes ndërmjetësimit.