Ditët e fundit, transportuesit e dërgesave ushqimore në Dubai nuk po funksionojnë si në ditët normale.

“Ata janë të gjithë duke fjetur”, ka thënë një portier i distriktit qendror Bur Dubai.

Motoristët e dërgesave të ushqimit për kompaninë Talabat kanë hyrë në një grevë të paligjshme që të protestojnë për pagat e tyre të ulëta, pasi rritja e kostos së jetesës ndezi trazirat mes punëtorëve më të varfër.

Shpërthimi i rrallë i trazirave industriale në shtetin e Gjirit vjen, pasi çmimet e karburantit janë rritur që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Kjo ka ulur pagën e udhëtarëve që blejnë vetë benzinën e tyre. Me inflacionin që godet produkte të tjera si ushqimi, standardet e jetesës po bien për punëtorët që sigurojnë jetesën me paga të pakta.

“Pagat janë shumë të ulëta dhe benzina është shumë e lartë. Ky është problem, të gjithë e ndalën punën”, ka thënë një nga motoristët e dërgesave në Talabat.

Ata kanë kërkuar të gjithë rritje rroge dhe kompania ka pohuar se është e hapur për diskutime “përmes kanaleve të duhura dhe në një mënyrë konstruktive”.

Talabat, e cila ka 20 mijë motoristë në mbarë vendin, ka thënë se kishin të ardhura mesatare, me rreth 70 për qind të motoristëve që javën e kaluar shprehën kënaqësinë për pagën e tyre.

“Megjithatë, e kuptojmë se realitetet ekonomike dhe politike po ndryshojnë vazhdimisht dhe ne gjithmonë do të vazhdojmë të dëgjojmë se çfarë kanë për të thënë motoristët”, ka deklaruar kompania.

Greva dhe puna e sindikalizuar janë të jashtëligjshme në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku autoritetet janë të shpejtë për të shuar çdo shfaqje të mospajtimit, qoftë në lidhje me politikën apo kushtet ekonomike.

“Kjo është shenjë se sa të vështira janë bërë gjërat për shoferët e dërgesave me rritjen e fundit të kostos së karburantit”, ka pohuar James Lynch, drejtor themelues i një grupi kërkimor për të drejtat e njeriut.

Gjatë viteve, punëtorët kanë organizuar grevë me ndërprerje dhe shoferët e taksive kanë ndalur punën në shenjë proteste ndaj kushteve.