Nënat ruse luftojnë për të shpëtuar djemtë nga lufta e Putinit

Kur dy djemtë e Marinës u rekrutuan dimrin e kaluar në ushtrinë ruse, ajo e mirëpriti idenë që fëmijët e saj të bënin shërbimin ushtarak për një vit.

“Unë u thashë se duhej ta kryenin shërbimin”, thotë Marina për BBC, duke shtuar se “ishte detyrë ndaj atdheut”.

Por disa javë më vonë ajo filloi të shqetësohej. Djemtë e saj ishin vendosur në një zonë afër kufirit me Ukrainën.

Më 24 shkurt, Presidenti Vladimir Putin urdhëroi trupat ruse të pushtonin Ukrainën. Atë ditë Marina (jo emri i saj i vërtetë) humbi kontaktet me djemtë e saj.

“Koha ka ndaluar për mua. Nuk mund të ha. Nuk mund të fle”, thotë ajo. “Kam shkëmbyer mesazhe me nënat e rekrutëve të tjerë nga e njëjta njësi. Doli se shumë prej tyre kanë humbur kontaktin me djemtë e tyre”.

Kremlini premtoi se rekrutët rusë nuk do të dërgoheshin në Ukrainë.

Pra, ku ishin djemtë e Marinës?

Hipa në makinë dhe fillova të kërkoja. Në telefon njëri nga komandantët këmbënguli se ishin në stërvitje ushtarake jashtë në fusha. Unë i thashë: “Kam vozitur nëpër të gjitha fushat afër këtu ku kishte pasur stërvitje. Ata nuk janë aty. U thashë mos të më gënjejnë”.

“Një herë, nga dëshpërimi, u përpoqa të shkoja me makinë në Ukrainë. Sigurisht, ata nuk më lanë të kaloja. Kishte pika kontrolli kudo”, shtoi ajo.

“Pastaj viktimat filluan të vinin. Mora një telefonatë nga dikush që më tha se kishte të vdekur dhe të plagosur. Unë nxitova në spitalin ushtarak”.

Djemtë e Marinës nuk ishin aty, por ajo u trondit nga ajo që pa.

“Në spitalin ushtarak nuk kishte mjaftueshëm ilaçe apo fasha. Banorët vendas e furnizuan spitalin me të gjitha. Ushtarët ishin të ftohtë dhe të uritur. Vendasit me zemër të madhe po sillnin ushqim dhe pije në spital”, shtoi ajo.

Përfundimisht dikush në njësinë ushtarake të djemve të saj pranoi se ata ishin, me të vërtetë, në Ukrainë.

“Më thanë lajmin e tmerrshëm: “Fëmijët tuaj kanë nënshkruar kontrata ushtarake për të qenë ushtarë profesionistë. Ata po marrin pjesë në operacionin ushtarak special [në Ukrainë]. Ata do të kthehen si heronj”, ishte mezashi që morra, thotë ajo.

Rusia mbështetet në rekrutimin për të rritur numrin e trupave në forcat e armatosura. Shërbimi ushtarak zgjat 12 muaj dhe, me disa përjashtime, është i detyrueshëm për burrat rusë të moshës nga 18 deri në 27 vjeç.

Me 5 mars, Presidenti Putin njoftoi se në Ukrainë do të merrnin pjesë vetëm vetëm ushtarë profesionistë, oficerë dhe ushtarakë me kontratë marrin pjesë në operacion.

Por vetëm katër ditë më vonë, ministria ruse e mbrojtjes pranoi, për herë të parë, se rekrutët ishin në mesin e personelit ushtarak të përfshirë në ofensivën ruse në Ukrainë. Ministria pretendoi se “praktikisht të gjithë ushtarakët e tillë tani janë kthyer në Rusi”.

Një zëdhënës i Kremlinit tha se presidenti kishte urdhëruar zyrën e prokurorit ushtarak të hetonte se si ishin paraqitur rekrutët në Ukrainë.

Ankesa zyrtare e Marinës u miratua. Autoritetet ruse konfirmuan se djemtë e saj nuk kishin nënshkruar kontrata ushtarake. Të dy djemtë u kthyen në Rusi.

Marina përshkruan se kur ju kthyen djemtë në shtëpi, ishin të dobët, të lodhur dhe të rraskapitur.

“Do të doja të besoja se presidenti ynë, komandanti i përgjithshëm, thjesht nuk është i vetëdijshëm për rrëmujën dhe kaosin në ushtri. Dua t’i them se jo gjithçka këtu është ashtu siç thonë në televizion”, thotë nëna e dy djemve ushtraë.