Në UT u organizua Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave të Natyrës, Mjekësisë dhe Teknologjive

Në Universitetin e Tetovës u organizua Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave të Natyrës,
Mjekësisë dhe Teknologjive. Në këtë ngjarje kaq të madhe shkencore të pranishëm ishin një numër i madh studiuesish të fushave përkatëse, të cilët me prezantimin e punimeve të tyre shkencore ndihmojnë në ofrimin e një forumi efektiv për studiuesit dhe praktikuesit për avancimin e njohurive, kërkimit dhe teknologjisë. Ky kongres përfshiu në vete pesë konferenca shkencore ndërkombëtare dhe u organizua në bashkëpunim me Universitetin e Sporteve të Tiranës, Universitetin e Prishtinës, Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin e Trakisë, Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Kolegjin AAB.


Në hapjen e punimeve të këtij kongresi, Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës,
Prof. Dr. Hazir Pollozhani tha se pas gati dy vitesh ndërprerjeje të organizimit të aktiviteteve me prani fizike, sot të gjithë së bashku vijmë në këtë Kongres, ku përpos shkëmbimit të rezultateve të reja nga shkenca, tashmë e kemi mundësinë e takimit me njëri – tjetrin dhe kënaqësinë e shkëmbimeve të prurjeve të reja në fushat profesionale shkencore. “Hulumtimet shkencore të arritura në adresë të Kongresit, në vete bartin veprimtarinë shkencore dhe akademike të rreth 850 punonjësve shkencorë në kuadër të të gjitha drejtimeve të fakulteteve, duke siguruar se Universiteti i Tetovës njihet edhe përmes hulumtimeve shkencore, metodave dhe inovacioneve të ngjashme meato.

Kongresi ka karakter ndërkombëtar, me një bord me afër 250 profesorë eminentë, me
veprimtari shkencore të njohur në arenën ndërkombëtare. Në këtë konferencë janë pranuar 272 punime shkencore, në të pesë Konferencat, edhe atë: Konferenca e 7-të Ndërkombëtare Ballkanike e Shkenca Sportive – 71 punime; Konferenca e 6-të Shkencore Ndërkombëtare e Shkencave të Zbatuara – 37 punime; Konferenca e 5-të Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë – 86 punime; Konferenca e 4-të Ndërkombëtare e Shkencave Matematike – Natyrore – 51 punime; Konferenca e 2-të Ndërkombëtare e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit – 27punime.

Prezantimi i këtyre punimeve do të realizohet në 29 sesione të ndara paralele. Ne këtë
Kongres, sot promovohen edhe 5 numrat e ri të revistave shkencore: Sport & Health – Vol. 8 numër 15/16; JAS – SUT – Vol. 7 numër 13/14; -Acta Medica Balkanica – Vol. 6 numër 11-12; JNSM – Vol. 6, numër 11-12; dhe International Journal of Food Technology and Nutrition – Vol. 4, numër 7-8” – tha mes tjerash Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani.

Këtë kongres me prezencën e tij e nderoi edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës në vendin
tonë, Bekim Sali. Ai, në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar auditorit theksoi se në këso lloje
ngjarjesh profesionale, bashkërisht kontribuojmë në afirmimin e shkencave mjekësore për
përballimin dhe tejkalimin e të gjitha sfidave shëndetësore lokale, rajonale dhe globale. “Është pikërisht kjo qasje e përbashkët dhe mbështetje e ndërsjellë. Ndjehem mirë që mes jush shoh profesorë dhe kuadër shkencor që me punën e tyre janë dëshmuar brenda dhe jashtë vendit. Është pikërisht kjo qasje e përbashkët dhe mbështetje e ndërsjellë e këtij lloji që e zhvillon dhe inkurajon bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e mjekësisë me të vetmin qëllim, që të arrihet kujdes më i mirë ndaj pacientëve, që është sfida jonë e përbashkët. Ngjarjet e këtilla që vijnë pas një pauze dyvjeçare janë një mundësi e mirë për përparimin e debateve profesionale në inicimin e projekteve dhe vizioneve të reja për modernizimin e sistemit shëndetësor. Potenciali njerëzor është shtyllë e sistemit shëndetësor dhe ne jemi të fuqizuar në fuqizimin e infrastrukturës dhe avancimin e statusit të personelit mjekësor”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Në cilësinë e bashkorganizatorit të këtij Kongresi, fjalë përshëndetëse mbajti edhe Rektori i
Universitetit të Sporteve të Tiranës, Prof. Dr. Agron Kasa. Ai këtë organizim shkencor e vlerësoi si një ngjarje me një rëndësi të veçantë, jo vetëm për shkencat sportive por edhe për shkencat natyrore, mjekësore dhe teknologjive.

Punimet e Kongresit i përshëndeti edhe Sekretari e përgjithshëm i Komitetit Olimpik të
Maqedonisë së Veriut, Sasho Popovski, ndërsa më pas u mbajt një ligjëratë profesionale nga traumatologu i njohur në vendin tonë dhe jo vetëm, Prof. Dr. Ilir Hasani, me temë: Sakrektomitë totale dhe parciale dhe implementimi i tyre si metodë e re në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Në shenjë falënderimi për pjesëmarrjen në këtë Kongres, në emër të Universitetit të Tetovës, për Prof. Dr. Agron Kasa, Sasho Popovskin dhe Dr. Ilir Hasanin u ndanë nga një dhuratë me portretin e Nënës Terezë dhe Monografinë e Universitetit të Tetovës. Po ashtu, e njëjta dhuratë u nda edhe për mjekun Ilir Demiri, në shenjë respekti dhe mirënjohje për punën e tij të palodhshme dhe për angazhimin e pakursyer të tij që ka dhënë gjatë kohës së pandemisë në Klinikën e Infektologjisë në trajtimin e pacientëve të infektuar me Covid 19.

Realizimi i këtij kongresi shkencor është mbështetur nga kompani të njohura dhe
institucione shtetërore, siç janë: Rifam Kipper; Alkaloid; Spitali Klinik i Tetovës; Restoranti Arra; Komuna e Bogovinës; Thor Industries; Kompania Renova; Doro Caffe; Vardar Dolomit; Pelagonka; L & L Company – Rey Water dhe ZEGIN.
Me kompanitë e lartpërmendura, Universiteti ynë bashkëpunon edhe në projekte të tjera
hulumtuese, sidomos me kompaninë e njohur farmaceutike ZEGIN zhvillon një bashkëpunim që është në funksion të inkurajimit të studentëve të Programit studimor të Farmacisë. Rrjeti i barnatoreve ZEGIN, studentëve të vitit të pestë të Programit studimor të Farmaci të Universitetit tonë u mundëson mbajtjen e punës praktike dhe thellimin e njohurive aplikative.