Ndërron jetë Bujar Nishani, Pacolli: Do të kujtoj gjithmonë përkushtimin e tij për çështjen kombëtare

Pas përhapjes së lajmit se ish-Presidenti Bujar Nishani ka ndërruar jetë në një spital në Gjermani, kanë ardhur edhe reagimet e para të kolegëve, gazetarëve dhe politikanëve shqiptarë nga Kosova e Maqedonia e Veirut.

“Një fatkeqësi për familjen dhe për të gjithë demokratët. Respekti ynë për gjithçka dha për PD dhe për vendin, do e shoqerojë kurdoherë!”, shkroi në Facebook Edi Paloka.

Hidhërim për ndarjen nga jeta të Nishanit shprehu edhe biznesmeni dhe ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli. “Sapo mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të mikut tim shumë të afërt, Ish-Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani. Atë do ta kujtoj gjithmonë si njeri i urtë, i respektuar dhe me integritet të lartë. I bindur që do ti mungon për gjithmonë kombit. Shprehi ngushëllimet e mia familjes Nishani dhe çdo shqiptarit, kudo!”, tha Pacolli.

Bujar Nishani dhe Atifete Jahjaga në Tiranë
Një tjetër ish-Presidente e Kosovës, Atifete Jahjaga, reagoi për ndarjen nga jeta të Nishanit. “Me Presidentin Nishani kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë gjatë mandateve tona presidenciale, si dhe një koordinim të shkëlqyeshëm ndërmjet të dy presidencave. I matur, pozitiv dhe shumë i përkushtuar në detyrë, Presidenti Nishani ka qenë një figurë unifikuese edhe atëherë kur polarizimet politike dukeshin të pakalueshme. Odetës, Fionës, Ersit si dhe mbarë familjes Nishani e shtetit shqiptar, i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje të madhe! Bujari u prehtë në paqe”, shkroi ajo në Facebook.

Nishani (d) dhe Ali Ahmeti
“Me pikëllim të thellë pranova sot lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim, ish presidentit të Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani. Të pashlyeshme në kujtimet tona do të mbesin vitet e angazhimit të tij në politikën kombëtare, ndërsa nga takimet që kishim bashkë do të kujtoj gjithmonë entuziazmin dhe përkujdesjen që tregonte kur në tavolinën e bisedimeve ishte çështja mbarëkombëtare. Përcjell ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së nderuar Nishani, miqve dhe bashkëveprimtarëve të Presidentit Nishani!”, shkroi në Facebook Ali Ahmeti, kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut.

“Bujar Nishani, ishte presidenti më i ri i Shqipërisë në momentin e zgjedhjes! Ai kishte shumë për t’i dhënë politikës dhe vendit. Ndarja krejt e parakohshme nga kjo jetë është lajm i hidhur jo vetëm për familjarët dhe familjen e tij politike, por edhe për këdo që e njohu si qytetar, si politikan dhe si shtetar! I qoftë i lehtë dheu i kësaj toke!”, ishte reagimi i gazetarit Lutfi Dervishi.