Mjekët amë ankohen se Ministria e Shëndetësisë rrallë lëshon termine për të ardhura shtesë për përkujdese të personit tjetër. Mjeku Genc Selmani tregon se në muajin maj vetëm një herë ka pasur termin të lëshuar nga ministria, andaj mjekët amë vështirë arrijnë të caktojnë terminë për këtë kategori qytetarësh. Situata është krijuar gjatë pandemisë, por edhe pse tashmë masat janë hequr, ai thotë se MSH-ja vazhdon që rrallë të lëshojnë termine.

“Gjegjësisht personat e sëmurë që e kanë të drejtën ligjore për personin e nevojës së tretë ose rimbursimin nga Ministria për punë dhe politikë sociale, në periudhën e pandemisë ka pasur një bllokadë totale dhe kjo vazhdon edhe tani në vitin 2022 për këtë periudhë deri në momentin që flasim deri në 1/3 e majit vetëm një herë Ministria e Shëndetësisë ka lejuar tek termini im që të ketë terminë për ti deleguar pacientët që e gëzojnë ose u takon kjo e drejtë”- deklaroi Genc Selmani, mjek amë.

Nga Qendra për punë dhe politikë sociale i thanë TV21 se bëhen rreth 100 kërkesa në muaj, të cilat më pas dërgohen në Komisionin për mbikëqyrje në Ohër, i cili vendos nëse pranohet apo jo përkujdesja. Nga atje thanë se situata është vështirësuar me për shkak të mospasjes së termineve, andaj mjekët amë të këtij rajoni ku do që gjejnë termine atje i dërgojnë pacientët e tyre pa dallim të qytetit ku jetojnë. E mjeku Selmani thotë se duhet çdo ditë pune të ketë terminë me qëllim që të rikthehen në situatën e mëparshme.

“Besoj se ky fluks që është krijuar tani pas një bllokade totale të pandemisë, unë besoj se duhet të rikthehemi në atë situatë kur kemi qenë paraprakisht dhe të ketë çdo ditë terminë”- shtoi Genc Selmani, mjek amë.

Termine për vlerësim lëshohen nga Ministria e Shëndetësisë tek “Termini im”, andaj mjekët amë kërkojnë që të ketë termine çdo ditë pune, që të tejkalohet rrëmuja e krijuar që nga fillimi i pandemisë.