Më 22 maj nuk do të ketë konferencë të përbashkët qeveritare mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Kryeministri Kovaçevski tha se dyja vendet nuk kanë harmonizuar agjendën. Ai pohoi edhe një herë qëndrimin se zgjidhje mes dy vendeve do të ketë vetëm në bazë të vlerave evropiane, me të cilat do të ruhet dinjiteti i qytetarëve të Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe që do të tregojnë respekt të ndërsjellë ndërmjet politikanëve dhe institucioneve.

“Përderisa nuk ka një zgjidhje të tillë që bazohet në ato vlera, dhe që është ndërtuar mbi parimet që thashë, atëherë nuk do të ketë zgjidhje. Për momentin, ashtu si edhe në periudhën e mëparshme, Ministritë e Punëve të Jashtme, shkëmbejnë mendime me njëra-tjetrën, si në periudhën e mëparshme, por nuk ka një zgjidhje të përbashkët të harmonizuar që mund të jetë bazë, së pari për marrëveshje reciproke dhe së dyti për ndarje me institucionet në vend, në njërën ao tjetrën”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër

Lideri i VMRO-së Hristijan Mickoski beson se nuk do të ketë marrëveshje dinjitoze ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, që fqinji të heqë veton dhe vendi të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian.

“Ose do të poshtërohemi dhe nënçmohemi nga kërkesat hegjemoniste të fqinjit tonë lindor, ose nuk do të hiqet vetoja. Dhe ky është qëndrimi im, qëndrimi i VMRO-DPMNE-së. E shfrytëzoj sërish këtë rast t’i dërgoj një mesazh Evropës, Bashkimit Evropian: Ashtu, siç janë të bashkuar rreth agresionit rus në Ukrainë, të bashkohen rreth agresionit politik të Bullgarisë kundër Maqedonisë dhe të na lejojnë t’i fillojmë ato negociata pa asnjë kusht”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së

Por, përkundër pritjeve të tilla pesimiste nga lidershipi politik dhe partiak në Shkup, kryetari i nderit i partisë VMRO në Bullgari, Krasimir Karakaçanov, pretendon se rreth 24 majit, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kiril Petkov po përgatit një tradhti kombëtare.