Mariçiq: Muaji qershor është vendimtar për hapjen e negociatave të Maqedonisë me BE-në

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq, ka treguar se propozimet më serioze për zgjidhjen e çështjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do të bëhen të ditura diku nga fundi i qershorit.


“Ne nuk do të dorëzohemi në rrugën drejt Bashkimit Evropian! Por e sigurt është se ne nuk do të heqim dorë nga rruga evropiane dhe nuk mund të heqim dorë. Nuk ka qenë kurrë e lehtë për ne, ka qenë e vështirë për ne të arrijmë këtu,të mos harrojmë edhe anëtarësimin në NATO. Kjo nuk do të thotë se ne duhet të heqim dorë nga rruga jonë evropiane dhe se nuk duhet të vazhdojmë të punojmë në mënyrë konstruktive në të”, tha Mariçiq.

Ai theksoi se presioni apo dëshira e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian shkon në atë drejtim që nuk ka kohë për të pritur.

Ai shton se deri më tani nuk mund të thotë se ka pasur presion për ndonjë çështje kyçe që është e rëndësishme për ne.

“Presioni i BE-së dhe SHBA-ve është se nuk ka më kohë për të pritur. Pritja nuk mund të sjellë asgjë të mirë, gjë që është e vërtetë, dhe pritja nuk mund të përmirësojë situatën apo kushtet e një marrëveshje”, tha ai.

Mariçiq tha se anëtarësimi në BE është po aq i rëndësishëm sa ai në NATO.

“Pasi bëmë marrëveshjen e Prespës, na u hapën shumë dyer. Fillimisht na u hap dera e anëtarësimit në NATO dhe nëse dikush përpiqet të relativizohet dhe të thotë: ç’rëndësi ka nëse jemi apo jo anëtarë të NATO-s?, do të përgjigjem me një sqarim shumë të thjeshtë, pse atëherë Finlanda dhe Suedia kërkojnë të jenë anëtarë të NATO-s?”, tha Mariçiq.

Fillimi i negociatave është interes strategjik për Bashkimin Evropian, jo vetëm për ne, u shpreh Mariçiq.