Liverpooli fiton ndaj Southampton dhe dërgon ‘luftën’ për titull për xhiron e fundit

Liverpooli ka marrë një fitore të madhe si mysafir ndaj Southampton me rezultat 2-1 në kuadër të javës së 37-të të Ligës Premier.

Jurgen Klopp kishte vendosur që për këtë ndeshje të pushojë pothuajse të gjithë lojtarët që startojnë në ndeshjet kryesore.

Kjo bëri që vendasit ta nisin më mirë takimin, duke shënuar të parët. Zhvillohej minuta e 13-të, kur Nathan Redmond me një gjuajtje të bukur mposhti Alissonin për 1-0.

 

Por në minutën e 27-të, ishte Liverpooli që barazoi rezultatin, me Takumi Minaminon që arriti ta gjejë rrjetën me një goditje të bukur nga brenda zonës.

Pjesa e parë u mbyll 1-1, duke lënë hapësirë që pjesa e dytë të jetë edhe më e mirë.

 

Liverpooli e nisi më fuqishëm fraksionin e dytë, duke rrezikuar fillimisht me Diogo Jotan, por goditja e tij nuk e gjeti cakun.

Në minutën e 67-të, Liverpooli ktheu epërsinë, ku Joel Matip shënoi me kokë për 2-1.

 

Deri në fund edhe pse kishte raste, rezultati nuk ndryshoi  dhe Liverpooli mori fitore të madhe.

 

Manchester City mbetet lider me 90 pikë, ndërsa Liverpooli ka 89 pikë, ndërsa në xhiron e fundit do të vendoset titulli.