Kryeministri i RMV-së Dimitar Kovaçevski konsideron se VMRO-DPMNE po vepron gabim me bllokadat e Kuvendit dhe me paralajmërimet për bllokada në rrugë.

Sipas tij, e gjithë bota po jeton në kohë krize, ndërsa Qeveria në Maqedoni po punon që goditjet e çmimeve të jenë sa më të vogla. Ai paralajmëroi se po vjen një periudhë e vështirë dhe kërkoi nga deputetët e VMRO-DPMNE-së që të ndalojnë bllokadat.

“Na pret një dimër i vështirë. Qeveria po punon për të reduktuar goditjet e çmimeve dhe për të siguruar reagentë për furnizimin pa pengesa të familjeve dhe industrisë. Po bëjmë ribalanc të buxhetit, Ministria e Financave po i zvogëlon shpenzimet që nuk duhet të bëhen, për të pasur mjete për të mbështetur kompanitë dhe kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve”, tha Kovaçevski.

Sipas tij, në Kuvend ka mekanizma përmes të cilëve të gjithë mund të diskutojnë dhe të shprehin mendimin e tyre për zgjidhjet ligjore, pa bllokuar punën e tij.

“Qasja e VMRO-DPMNE-së është për arsye politike personale, për të siguruar pozitat e tyre brenda partisë. I bëj thirrje deputetëve në Kuvend që të jenë në nivelin e përgjegjësisë që kanë, jo para partisë, por para qytetarëve. Kuvendi duhet të miratojë ligje që të përmirësojnë standardin e qytetarëve. Kuvendi është një vend ku ka komisione për të gjitha fushat, ku të gjitha zgjidhjet mund të diskutohen në mënyrën më demokratike”, shtoi Kovaçevski.

Ndryshe, kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, sot paralajmëroi se mund të ketë edhe protesta, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.