Kancelari gjerman do të vizitojë Ballkanin Perëndimor

Kancelari gjerman Olaf Scholz sot deklaroi se para takimit të Këshillit Evropian të paraparë për muajin e ardhshëm do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor, që ta transmetojë porosinë se e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian.


Scholz para deputetëve në Bundestag përkujtoi se gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor kanë aspirata për anëtarësim në BE dhe ato tashmë janë në procesin shumëvjeçar të reformave.

“Respektimi i detyrimeve tona drejt tyre nuk është vetëm çështje e besimit tonë. Sot, më shumë se kurrë, integrimi i tyre është edhe në interesat tona strategjike”, tha Scholz duke folur për ndikimin e “forcave të jashtme” ndaj rajonit, duke përfshirë edhe Rusinë.