Kamberi: Kjo mbështetje e gjithanshme është motiv i madh, po përpiqen me çdo kusht ta ndalin praninë e shqiptarëve

Nesër do të mbahen zgjedhjet e përsëritura parlamentare në njësinë numër gjashtë në Tërnoc.


E, për këtë ka reaguar Shaip Kamberi, cili po synon ulësen në Kuvendin e Serbisë.

Kamberi ka falënderuar të gjithë qytetarët për përkrahjen dhe përkushtimin për Luginën e Preshevës.

Tutje shkruan në Facebook se, kjo mbështetje e gjithanshme është motiv i madh mobilizues për ta realizuar atë që po përpiqen me çdo kusht ta ndalin: përfaqësimin e shqiptarëve, praninë e shqiptarëve, liritë dhe të drejtat e shqiptarëve.

Postimi i plotë:

Përderisa na ndajnë pak orë nga dita e nesërme e Referendumit kundër fshirjes së shqiptarëve,
Dua ta shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për aktivistët, anëtarët dhe simpatizantët që po punojnë pandalshëm në çështjet organizative..
Dua të falenderoj të gjithë qytetarët për përkrahjen dhe përkushtimin për Luginën e Preshevës.
Mbështetja masive nga të gjitha hapësirat shqiptare dhe mërgata, nga përfaqësuesit institucional dhe politik nga pozita e opozita, si Presidenti z.Ilir Meta, Kryeministri z.Albin Kurti, z.Memli Krasniqi, z.Lumir Abdixhiku, z.Ali Ahmeti dhe z.Ziadin Sela e shumë të tjerë, është jo vetëm mirënjohje për punën e bërë, por është para së gjithash tregues për ta kuptuar rëndësinë kombëtare të zgjedhjeve të nesërme, jo vetëm për Luginën e Preshevës, por edhe për shqiptarët në rajon.
Kjo rëndësi dhe kjo mbështetje e gjithanshme është motiv i madh mobilizues për ta realizuar atë që po përpiqen me çdo kusht ta ndalin: përfaqësimin e shqiptarëve, praninë e shqiptarëve, liritë dhe të drejtat e shqiptarëve.
Nesër,
Mobilizohemi, organizohemi dhe angazhohemi. Bashkë. Përtej dallimeve partiake.
Nesër,
Tërnoci voton.
Shqiptarët fitojnë!
#Voto16.