Ekipi mbrojtës i Nasim Haradinajt konfirmoi për gazetarët se do të apelojë aktgjykimin dënues të shqiptuar më 18 maj nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj u dënua me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë. Edhe kryetarit të kësaj organizate, Hysni Gucatit, iu shqiptua dënimi i njëjtë.

“Presim zvogëlimin e dënimit”, tha avokati u Haradinajt, Toby Cadman, duke shtuar se qëndrimi i mbrojtjes është që Haradinaj të dënohet aq kohë sa ka qëndruar në paraburgim.

Haradinaj dhe Gucati u arrestuan më 5 shtator të vitit 2020 dhe që atëherë gjenden në qendrën e paraburgimit të Hagë.

Avokati i Haradinajt tha se pret që trupi gjykues të shqyrtojë në mënyrë të pavarur kërkesën e tyre dhe ta ulin dënimin për klientin e tij.

Sipas ligjeve, palët kanë të drejtë që brenda 30 ditëve nga shqiptimi i vendimit dënues, të apelojnë vendimin në Gjykatën e Apelit në Hagë, që funksionon me ligje të Kosovës.

Gjatë shqiptimit të dënimit, gjykata argumentoi se Gucati dhe Haradinaj kishin kërcënuar dëshmitarët e mbrojtur dhe ata eventualë, duke publikuar informacione të tyre dhe dokumente të klasifikuara të Speciales.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë ksihin shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në aktakuzë thuhet se këto dokumente, kopje të së cilave u janë shpërndarë gazetarëve në tri konferenca për media, kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.