GJYKATA SJELL VENDIM | Sulmuesi i gazetarit Nevrij Ademi dënohet me 3 muaj burg

Gjykata Themelore në Gostivar duke vepruar në bazë të aktakuzës së PTHP-së Gostivar, ka dënuar me tre muaj burg B.E. nga fshati Gjurgjevisht e Vrapçishtit, i dënuar për veprën penale “Kërcënim me armë të rrezikshme gjatë një zënke ose grindjeje” sipas nenit 133 nga Kodi Ligjor, gjegjësisht sulmit me sëpatë ndaj gazetarit Nevrij Ademi dhe kameramanit Zbulim Maksuti, shkrun Nistori.

Më 16 shkrurt 2022, gjatë xhirimit të reportazhit në shkollën fillore “Naim Frashëri” në fshatin Gjurgjevishtë, Komuna Vrapçisht – Gostivar rreth orës 14:00, gazetari Nevrij Ademi dhe kameramani Zbulim Maksuti janë sulmuar verbalisht e më pas fizikisht nga personi B.E. Gjatë realizimit të reportazhit, përkatësisht projekteve të realizuara në shkollë, përderisa kanë qenë duke filmuar, sulmuesi u është drejtuar atyre me ofendime, kërcënime verbale dhe më pas është konfrontuar fizikisht.

Gazetari Nevrij Ademi për Nistori shprehet i kënaqur me vendimin, por në të ardhmen duhet të sillet një ligj më i rreptë që do të mbrojë gazetarët.

“Jam i kënaqur me vendimin, por duhet të sillet ligji për mbrojtjen e gazetarëve, ashtu siç është për funskionarët politik, që në të ardhmen të ketë dënime më të mëdha, me qëllim që të parandalohen rastet e këtilla.” – deklaron Ademi për Nistori.

Sulmuesi ka poseduar në dorë sëpatë me të cilën ka kërcënuar gazetarët dhe më pas i ka ndjekur me veturë deri në fshatin Negotinë.