Një djalë 14-vjeçar palestinez u vra nga forcat izraelite në qytetin Betlehem të Bregut Perëndimor të premten vonë, sipas ministrisë palestineze të Shëndetësisë, raporton CNN të shtunën.

Familja e viktimës, Zaid Saeed Ghuneim, tha se adoleshenti sapo kishte mbaruar darkën dhe ishte duke shkuar për në shtëpinë e gjyshërve të tij kur u qëllua. Vëllai i tij, Yazan Ghuneim, i tha CNN-it se vëllai i tij ishte fshehur në një garazh kur ushtarët izraelitë e futën në qoshe.

“Ata ia dhanë dy plumba në këmbë, dy në shpinë dhe një në qafë. Ata e vranë atë. Ai ishte shoku im më i mirë. Një djalë i bukur, paqësor që donte t’i ndihmonte të gjithë”, ka thënë Ghuneim.

Një dëshmitare okulare i tregoi CNN-it një video që ajo bëri menjëherë pas incidentit. Në pamjet, ka gjak të grumbulluar në dyshemenë e një garazhi. Sipas Um Muhamed, ajo pa Zaid Saeed Ghuneim duke vrapuar në garazh dhe e dëgjoi atë duke u lutur për jetën e tij.

“Ai po bërtiste dhe vazhdonte të thoshte: “Unë nuk bëra asgjë! Mos më qëlloni!”, tha ajo për CNN.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, Ghuneim u dërgua me urgjencë në spital me plagë plumbash në qafë dhe shpinë mirëpo ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.

Në një deklaratë të dhënë për CNN, ushtria izraelite tha se disa ushtarë në zonën Al-Khader të Betlehemit po kryenin “aktivitet rutinë të sigurisë” në zonë kur “të dyshuarit hodhën gurë dhe kokteje molotov mbi ushtarët, duke rrezikuar jetën e tyre”.

Kjo është vrasja e dytë e një të mituri nga forcat izraelite në më pak se një javë, pas një sërë bastisjesh në Bregun Perëndimor. Ndërsa mbulonte një nga ato bastisje, gazetarja palestinezo-amerikane, Shireen Abu Akleh u qëllua dhe u vra nga ajo që Prokurori i Përgjithshëm Palestinez e përshkroi si një sulm të synuar nga ushtarët izraelitë.

Tensionet janë përshkallëzuar në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë Izraelin dhe territoret palestineze.

Në mars, një sërë sulmesh nga palestinezët lanë të vdekur 19 izraelitë. Si përgjigje, ushtria izraelite nisi një operacion duke kryer bastisje pothuajse të përditshme në të gjithë Bregun Perëndimor për të arrestuar të dyshuarit.

Që atëherë, ushtarët kanë arrestuar dhjetëra banorë të Bregut Perëndimor dhe kanë hasur në rezistencë të dhunshme. Ministria palestineze e Shëndetësisë thotë se të paktën 55 palestinezë kanë vdekur për shkak të operacionit “Breakwater”.