Finlanda si Suedia, voton pro për anëtarësimin në NATO! Priten takime me Biden

Parlamenti i Finlandës miratoi me shumicë dërrmuese propozimin  për të aplikuar për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s. Propozimi  mori 188 vota pro dhe tetë kundër.


Tashmë Finlanda pritet të nënshkruajë një aplikim zyrtar dhe ta dorëzojë atë në selinë e NATO-s në ditët në vijim, së bashku me Suedinë, ku qeveria e saj njoftoi dje të njëjtin vendim.

Presidenti finlandez Sauli Niinisto teksa priti në një takim  kryeministren suedeze të martën  tha se ishte ‘optimist’ se Finlanda dhe Suedia do të ishin në gjendje të siguronin mbështetjen e Turqisë për ofertat e tyre për anëtarësim në NATO, pavarësisht kundërshtimeve të minutës së fundit të Ankarasë.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka kërcënuar se do të bllokojë zgjerimin e aleancës, duke akuzuar Helsinkin dhe Stokholmin se strehojnë militantë nga partitë kundër  qeverisë së tij.

Ndërkohë  në pritje të marrjes së një përgjigje për aplikimin e tyre në NATO, Kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi  se Gjermania do të rrisë bashkëpunimin e saj ushtarak me Suedinë dhe Finlandën.

“Ne do ta theksojmë rregullisht këtë bashkëpunim me vizita të rangut të lartë politik në Finlandë dhe Suedi dhe do të intensifikojmë bashkëpunimin tonë ushtarak, veçanërisht në rajonin e Detit Baltik dhe përmes stërvitjeve të përbashkëta”, tha Scholz.

Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson do të takohen edhe  me presidentin amerikan Joe  Biden për të diskutuar “aplikimet e tyre në NATO-s dhe sigurinë evropiane, si dhe forcimin e partneriteteve të ngushta në një sërë çështjesh globale dhe mbështetjen për Ukrainën.