Efektivi vrau kolegun në komisariat, zbardhet dëshmia e efektivit që ishte në vendngjarje

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që u shënua tre ditë më parë në komisariatin nr.3, ku efektivi 25-vjeçar Ludian Zaimi vrau kolegun e tij.


Është zbardhur dhe dëshmia që ka dhënë një efektiv i policisë për AMP (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore).

“Kur ndodhi ngjarja unë kam qenë në pjesën e oborrit të komisariatit. Në ato momente Caush Saliasi ishte te shkallët dhe ishte duke dredhur një cigare. I fola Caushit dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin. Në këtë çast Ludjan Zaimi doli nga klasa dhe erdhi pas meje dhe unë e pyes si je dhe pse je i mërzitur? Më tha: Nuk kam asgjë, por hapu dhe shtyhu pak pas. Unë i them pse, por ai ngul këmbë dhe më thotë sërish, shtyhu pas shtyhu. Në atë moment ai nxjerr armën e shërbimit dhe i them çfarë po bën kështu, por ai nuk u kthye dhe u drejtua me armën në dorë drejt Caush Saliasit dhe i thotë këtij të fundit “Tani do të sqarohemi bashkë”. Menjëherë Caush Saliasi u ngrit në këmbë dhe u fut te klasa qe t’i shmangej, por Ludian Zaimi e qëlloi me armën e shërbimit, edhe pse Caushi ra në tokë, Ludiani e qëlloi sërish dhe herë të tjera”, përfundon dëshminë polici me iniciale K.Q. raporton “neës24”.
Kujtojmë që Zaimi vrau në ambientet e komisariatit kolegun e tij Caush Saliasi. Autori tha se viktima e bullizonte dhe se ky ka qenë edhe shkaku që e ka çuar që të kryente krimin e rëndë.