Rreth orës 3:30 një autobus me udhëtarë nga Kosova ishte aksidentuar në Salzburg.

Policia e Salzburgut me anë të një përgjigje për Klankosova.tv ka dhënë detaje.

“Aksidenti ka ndodhur në autostradën (A1) në zonën Hallwang, në daljen midis Eugendorf dhe Salzburg Nord, që çon në drejtim të Munchenit. Në vendin e aksidentit ishte ngritur një kantier ndërtimi, ku komunikacioni zhvillohet në dy kahje. Hetimet lidhur me aksidentin janë duke u zhvilluar. Sipas hetimeve të para dhe dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, në aksident nuk ishte i përfshirë ndonjë automjet tjetër”.

Tutje në përgjigje thuhet se tre persona janë lënduar rëndë.

“Në autobus ishin 28 persona. Tre persona kanë mbetur të lënduar rëndë, 16 persona të lënduar lehtë. Për të gjithë kujdeset Kryqi i Kuq ose spitalet e Salzburgut”.

Pas hetimeve raporti i aksidentit do të publikohet në faqen zyrtare, thuhet në përgjigjen e policisë së Salzburgut për Klankosova.tv.

Lidhur me gjendjen e disa pacientëve janë deklaruar edhe nga Spitali Shtetëror i Salzburgut.

Në një përgjigje për Klankosova, ky spital bëri të ditur se dy persona kanë mbetur të lënduar rëndë.

“Tetë pacientë kanë pasur trajtim ambulantorë në Spitalin Universitar të Salzburgut, Ata kishin prerje dhe mavijosje. Të njëjtit janë liruar nga spitali. Dy burra të moshës 55 dhe 50 vjeçare, kanë qenë të lënduar rëndë, të dy me dëmtime në shtyllën kurrizore. 55 vjeçari është operuar dhe gjendja e tij është stabile, ndërkaq 50 vjeçari nuk ka nevojë për operacion por ka fraktura”- thuhet në përgjigjen e Spitalit Shtetëor të Salzburgut për Klankosova.tv.