A është lodhur më në fund Evropa me politikanët që fitojnë shumë para nga Rusia?

Nga Patrick Smith “NBC News”


Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia, politikanët perëndimorë dhe udhëheqësit në fushën e biznesit, kanë nxituar të lënë në shenjë proteste postet e tyre fitimprurëse në bordet këshillimore të kompanive ruse, dhe me synim izolimin e Rusinë si një ndëshkim për luftën e nisur në Ukrainë.

Por jo të gjithë e kanë hedhur këtë hap. Prandaj tani një ish-udhëheqës gjerman dhe një ish-ministre e jashtme austriak po përballen me masa ndëshkimore për lidhjet e tyre të vazhdueshme me Kremlinin. Parlamenti Evropian miratoi të enjten një paketë masash, që i kërkon Bashkimit Evropian të vendosë sanksione ndaj politikanëve, që fitojnë ende shuma të mëdha parash nga bizneset ruse.

Ndërsa mocioni nuk është detyrues, miratimi i tij është një hap i rëndësishëm për sanksionet që po hyjnë në fuqi, dhe dërgon një sinjal të qartë se komuniteti evropian nuk do të tolerojë më një mbështetje të heshtur ndaj regjimit të Presidentit Vladimir Putin, që ka karakterizuar shumë zyrtarë që nga afrimi i kontinentit ndaj Kremlinit dekadat e fundit.

Mocioni e veçon ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder, një mik i vjetër i Vladimir Putinit, që po përballet tani me një presion në rritje për të lënë detyrën e tij si kryetar i bordit të drejtorëve në kompaninë gjigante të naftës ruse, Rosneft.

Po ashtu, ai përmend ish-ministren e jashtme austriake Karin Kneissl, gjithashtu një anëtare e bordit në Rosneft, e cila e ftoi madje Putinin në dasmën e saj në vitin 2018. Bashkimi Evropian ka vendosur tashmë sanksione ndaj 80 bizneseve, dhe më shumë se 1000 individëve, të cilët përballen tani me ndalime të udhëtimeve, dhe ngrirje apo sekuestrim asetesh në lidhje me luftën.

“Duke shërbyer në postet kyçe të korporatave ruse të lidhura me Kremlinin, ish-ministrja e Jashtme e Austriake Karin Kneissl dhe ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder, janë duke bashkëpunuar de fakto me Rusinë”- thotë Markus Ferber, një nga anëtarët e Parlamentit Evropian që hartoi mocionin.

Sipas tij një sjellje e tillë është e papranueshme, në një kohë kur Rusia po shkel hapur ligjin ndërkombëtar, dhe po kryen krime lufte në Ukrainë. “Ne u kërkojmë atyre që të tërhiqen menjëherë nga postet e larta që mbajnë në kompanitë ruse”- apeloi Ferber.

Presioni mbi Schröder po rritet edhe brenda Gjermanisë. Qeveria gjermane e koalicionit, deklaroi të mërkurën se do t’i heqë atij privilegjet që i njihen zakonisht ish-kancelarëve, përfshirë pasjen e një zyrë në godinën e parlamentit, dhe të një ekipi ndihmësish.

Megjithatë, ekipi në fjalë dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj luftës që në muajin mars. Nga ana tjetër ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, deklaroi në një intervistë për televizionin “Welt TV” se është e paimagjinueshme që “një ish-kancelar që po bën tani haptazi një lobim në favor të sundimit kriminal të Vladimir Putinit, t’i ofrohet ende një zyrë që paguhet nga taksapaguesit gjermanë”.

Schröder, sot 78 vjeç, që e udhëhoqi Gjermaninë në vitet 1998-2005, fiton 600.000 dollarë në vit nga kompania Rosneft. Kjo sipas bilanceve zyrtare të vetë kompanisë për vitin 2020. Ndërkohë ai merr pensionin e tij shtetëror dhe një pagë për rolet e tij në projektet transnacionale të gazsjellësve “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2”.

Disa e fajësojnë Schröder për ndihmën që dha për rritjen e mbështetjes së Gjermanisë tek energjia ruse, një varësi që tani po zbehet në mënyrë dramatike por me shumë kosto. Një nga veprimet e tij të fundit si kancelar, ishte miratimi i ndërtimit të gazsjellësit “Nord Stream 2”, pak para se të linte detyrën, dhe të merrte një post tek Nord Stream AG, kompania që qëndron pas projektit të gazsjellësit që tashmë është pezulluar nga Berlini.

Zyrtarët ukrainas thonë se gjatë gjithë luftës Rusia ka fituar rreth 1 miliard dollarë në ditë nga eksportet perëndimore të karburanteve fosile, dhe Gjermania ka qenë klientja e saj më kryesore. Schröder është përballur me kritika të forta edhe për nënvlerësimin apo vënien në dyshim të ndikimit të luftës që po zhvillohet në Ukrainë.

Ai deklaroi në prill për “Neë York Times” se ndërsa lufta e Vladimir Putinit ishte një gabim, raportet për masakrat në periferinë e Kievit, si ato në Bucha “duhet të hetohen”, duke shtuar se një urdhër i tillë nuk do të kishte ardhur nga vetë presidenti rus.

Ish-udhëheqës të tjerë botërorë, si ish-kryeministri italian Matteo Renzi dhe ish-kryeministri finlandez Esko Aho, dhanë dorëheqjen që më 24 shkurt, pra në ditën që nisi pushtimi, nga postet e tyre në bordet drejtuese të bizneseve të mëdha ruse.

Deri më tani, Schröder nuk ka treguar asnjë lloj shenjë, se nuk do të bëjë të njëjtën gjë në të ardhmen. “Unë nuk kam pse të kërkoj ndjesë. Kjo luftë nuk më përket mua!”- deklaroi ai në intervistën për gazetën amerikane. /