Një violinë e rrallë e bërë nga lutieri italian Giuseppe Guarneri në 1736 dhe në pronësi të violinistit francez Regis Pasquier do të dalë në ankand në një periferi të Parisit në Qershor pas një periudhe të shkurtër ekspozimi. Violina me ngjyrë të ndezur është një nga vetëm rreth 150 të prodhuara nga Guarneri.

“Ka shumë violina, por kjo është e barazvlefshme me shitjen e një pikture të Rembrandt, një Goya apo edhe të Leonardo Da Vinçit“, tha drejtuesja e ankandit Sophie Perrine. E krijuar në kulmin e karrierës së Guarnerit, ajo u ble nga Pasquier më shumë se 20 vjet më parë, në një takim përrallor mes muzikantit dhe instrumentit.
Pasquier e zgjodhi atë nga më shumë se një duzinë violina dhe e luajti të nesërmen në Nantes “pa u praktikuar, sepse për të, ky instrument ishte i përsosur, ai nuk kishte nevojë të praktikonte“, thotë më tej Perrine.

Perrine tha se violina kishte një “tingull të jashtëzakonshëm” dhe kishte mbushur salla të mëdha koncertesh nga Carnegie Hall në Nju Jork deri në Opera Garnier në Paris, pavarësisht se ishte vetëm 351 mm në lartësi. Violina do të dalë në ankand më 3 Qershor, pas një ekspozite treditore, dhe vlerësohet nga 4 deri në 4.5 milionë Euro, por Perrine tha se mund të shitet deri në 10 milionë Euro.