Ushtria ukrainase pretendon se anija luftarake ruse, Moskva, filloi të fundosej pasi u godit me raketa Neptun.
Komanda ushtarake jugore thotë se anija pësoi dëme të konsiderueshme dhe një zjarr filloi pas sulmit.
“Anijet ruse të shpëtimit u penguan më pas nga municionet që shpërthyen në bord, si dhe nga moti i keq që përmbysi kryqëzorin dhe ai filloi të fundosej”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë sapo ka lëshuar një deklaratë, ku thotë se zjarri në kryqëzorin Moskva është nën kontroll, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Nuk ka flakë të dukshme, furnizimet me municione nuk po shpërthejnë më. Kryqëzori Moskva është ende në det. Armatura kryesore e raketave nuk është dëmtuar. Ekuipazhi i kryqëzorit u evakuua në anijet e flotës së Detit të Zi aty pranë. Po merren masa për tërheqjen e kryqëzorit në port. Aktualisht janë duke u përcaktuar shkaqet e zjarrit”, thuhet në njoftimin e ministrisë ruse.