Një ditë pasi në mediat në Slloveni u përfshi emri i ambasadorit të Kosovës, Martin Berishaj, si i përfshirë në një skandal financiar ndërkombëtar, në Kosovë po kërkohet që ai të largohet nga posti, pa marrë parasysh nëse raportimi është shpifje apo jo. Njohës të çështjeve politike kanë thënë se qëndrimi i Berishajt në postin e ambasadorit në kohën sa dyshohet për shpëlarje parash, do t’i bënte dëm imazhit të Kosovës.
Emri i ambasadorit Berishaj ndodhet në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Lubjanë. Emri i tij është krahas kryetarit të partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, Robert Golob. Sipas Planet TV, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te kompania e ambasadorit kosovar MB Consulting. Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.
Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, ka thënë se një ngjarje e tillë ngushton mundësitë e ambasadorit për punë.
“Duke qenë këto pretendime, një ambasador nuk mund ta kryejë punën e vet. Ambasadori është i afërt me presidenten dhe kryeministrin. Ai mund të lirohet nga detyra, pasi ta sqaronte situatën, do të mund të punësohej në një pozitë tjetër. Pozita e ambasadorit është më e rëndësishme sesa pozita e brendshme. Ne nuk mund të përfaqësohemi nga të dyshuar. Deri sa sqarohet, nuk mund ta ushtrojnë funksionin e diplomatit. Dëmi i kësaj ngjarje, përtej diskutimeve, shkon përtej kufijve tanë. I dëmton interesat tanë në sferën ndërkombëtare. Nuk na nevojitet një imazh i tillë për të na përfaqësuar”, ka thënë Nikaj të premten te “Java Sonte me Rronin” në KTV.
Nikaj ka hedhur dyshime ndaj krerëve të shtetit se përse ende s’është shkarkuar Berishaj. Sipas tij, Berishaj ose është mik i mirë i presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, ose dy udhëheqësit e shtetit nuk kanë guxim të marrin vendime në momente kritike.
Eugen Cakolli, monitorues i punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se duke qenë që skandali është ndërkombëtar, e bën jorelevant faktin se a është shpifje raportimi apo lojë politike në kuadër të zgjedhjeve në Slloveni.
“E rëndësishme është që përfolja në skandale e një ambasadori të shtetit, e cenon kredibilitetin dhe imazhin e Kosovës. Në anën tjetër, përpjekjet e krerëve institucional për ta mbrojtur publikisht ambasadorin Berishaj nuk i ndihmojnë as atij e as Kosovës. Përkundrazi, veç dëm shkaktojnë. Ndryshe, ambasadori Berishaj – me gjithë kontributin dhe bagazhin e madh që bart – do të duhej që vet të ofrojë dorëheqjen, e të mos pranojë që të jetë pjesë e përplasjeve e lojërave politike edhe në Kosovë. Kjo, të paktën deri sa të sqarohet plotësisht çështja dhe të ketë një epilog gjyqësor”, ka shkruar ai në Facebook.
Ish-zëvendësministri i Arsimit në Qeverinë “Kurti 1”, Jusuf Thaçi, ka thënë se Berishaj duhet të shkarkohet për shkak se “shteti i Kosovës, përfaqësimi dhe diplomacia e tij, është damkosur dhe do të vazhdojë të jetë i damkosur nga ky skandal publik derisa të zbardhet e vërteta për rastin në fjalë (cilado qoftë ajo)”.
Sipas tij, mosshkarkimi i Berishajt e cenon Qeverinë, imazhin e Kosovës dhe fyen Kroacinë.
Ai ka kritikuar pushtetin edhe për heshtjen ndaj rastit. Sipas tij, me heshtje për raste të tilla “përkrahet theqafja e LVV-së dhe e kryeministrit Kurti”.
“Është e vërtetë që nganjëherë ‘heshtja është flori’, por në raste të tilla heshtja është krim”, ka thënë Thaçi në drejtim të aktivistëve e përkrahësve të VV-së
Akuza ndaj pushtetit për mosveprim ka adresuar edhe opozita. Në Partinë Demokratike në opozitë e kanë implikuar edhe kryeministrin Albin Kurti në skandal. Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të kësaj partie, ka theksuar se kreu i Qeverisë e ka përdorur Berishajn si ndërmjetësues me mafian serbe për shitblerje të energjisë elektrike gjatë krizës energjetike në Kosovë. Sipas tij, kjo mund të jetë një ndër arsyet se pse mazhoranca nuk ka lejuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria.
“Gjatë periudhës së fundit dyvjeçare kur në KEK është vendosur një menaxhment i ri nga Qeveria Kurti I dhe ka vazhduar me Qeverinë Kurti II, kanë bashkëpunuar me këtë kompani dhe kjo kompani pra kompania GEN-I dega e saj në Serbi i ka shitur Republikës së Kosovës energji elektrike dhe po ashtu ka blerë energji elektrike nga Republika e Kosovës. Kjo është jashtëzakonisht skandaloze. Pra, ambasadori ynë shërben si një sekser i kryeministrit tonë mes tij dhe mafias serbe të energjetikës”, ka thënë Tahiri.
Ngjashëm akuza hodhi edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Duke ia shtruar disa pyetje, të gjitha për energjinë, Haradinaj në fund ka kërkuar sqarime edhe për rastin e Berishajt duke iu drejtuar kryeministrit Kurti me pyetjen “shpjegoja popullit, ku je ti në këtë histori?”
Raportimet i ka mohuar ambasadori Berishaj, i cili ka thënë se të njëjtave do t’u përgjigjet me padi për shpifje. Sipas tij, përmes kësaj padie do ta mbrojë drejtësinë dhe të vërtetën.
“Shpifjet nuk kalojnë! Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesor politikë, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet Tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit ne fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit të gjykatës”, ka shkruar ambasadori Berisha në llogarinë e tij në Facebook.
Pas kësaj deklarate, Presidenca ka lëshuar një njoftim përmes të cilit ka thënë se kanë kërkuar nga Berishaj raport me shkrim lidhur me këtë artikull derisa e kanë ftuar të vijë në Kosovë për të dhënë sqarime dhe se më pas, bashkë me MPJ-në do të bëjnë vlerësimin e pozitës së tij. Me gjithë akuzat, në Presidencë thanë se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë marrë asnjë informatë nga institucionet sllovene apo të ndonjë shteti tjetër për involvimin e Berishajt në ndonjë vepër penale.
Por, para se të lëshohej ky qëndrim i Presidencës, ambasadorit në mbrojtje i ka dalë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, duke thënë se i beson pafajësisë së tij dhe se konstatime mund të japin vetëm organet e drejtësisë e jo mediat.
“Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës, sepse është ambasador i Republikës sonë kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do t’i drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë. Dhe pastaj të gjithë bashkërisht e presim vendimin e organeve të drejtësisë para se të bëjmë konstatime siç i dëgjuam”, ka thënë presidentja Osmani.
E në Zyrën e Kryeministrit kanë thënë të jenë të interesuar për prova e jo pretendime. Mbështetur në një përgjigje që është ofruar nga kjo zyrë, duhet të kihet kujdes ndaj pretendimeve që janë mohuar nga ambasadori, sidomos në kohën kur në Slloveni po zhvillohet një garë elektorale.
“Kërkesa për sqarime mbi të vërtetën është gjithmonë legjitime. Si qeveri ne jemi të përgjegjshëm dhe llogaridhënës, por jemi të interesuar për llogaridhënie mbi të vërteta të dëshmuara dhe prova e jo pretendime dhe akuza”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit. Kryeministri Kurti, i pyetur për të komentuar këtë çështje, ka thënë se qëndrimin e Qeverisë e ka dhënë zëdhënësi.
Martin Berishaj është emëruar ambasador në Kroaci, vetëm 4 muaj pasi presidentja ia kishte dhënë shtetësinë e Kosovës, krahas asaj të Malit të Zi që e mbante.