Ka nisur në Bruksel takimi midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, teksa sot është afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave.

Fillimisht Bislimi do të takohet vetëm me Lajçakun dhe më pas në takim do të bashkohen edhe anëtarët e tjerë të delegacionit të Kosovës.

Më herët gjatë 21 prillit, Lajçak zhvilloi takime me delegacionin e Serbisë, të kryesuar nga Petar Petkoviç.

Ende nuk dihet nëse do të ketë një takim trilateral, pra një takim ku të tre do të jenë bashkë, kjo do të ishte një tregues se palët po i përafrojnë qëndrimet e tyre dhe se arritja e një marrëveshjeje për këtë çështje është e mundur.

Më herët gjatë ditës, zyrtarët evropianë paralajmëruan nevojën e arritjes së një marrëveshjeje.

“Ne vazhdojmë t’ua kujtojmë se është urgjente të gjendet një gjuhë e përbashkët. Kjo do të kërkojë fleksibilitet politik dhe kompromis. Nuk mund të presim sepse disa nga çështjet kërkojnë veprim urgjent nga ana jonë”, tha Elsa Fenet, shefe e divizionit të Ballkanit Perëndimor në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm.

Kosovës dhe Serbisë sot, më 21 prill, u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.

Nga burimet në BE më herët thanë se për çështjen e targave janë identifikuar disa ide, por palët e kanë përgjegjësinë që të pajtohen për njërën prej këtyre zgjidhjeve.

Lajçak, më 20 prill porositi se u takon kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë “një marrëveshje për të lëvizur përpara” sa i përket çështjes së targave, kur të takohen më 21 prill.

Ai tha përmes një postimi në Twitter se ekspertët e Kosovës dhe Serbisë më 20 prill kanë mbajtur në Bruksel takimin e fundit të grupeve punuese.

“Me punën e tyre, ata kanë përgatitur diskutimet e kryenegociatorëve, që do të mbahen nesër [e enjte, 21 prill]. Tani, u takon kryenegociatorëve që të arrijnë një marrëveshje për të lëvizur përpara”, shkroi Lajçak në Twitter.