Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri , të cilat dyshohet se erdhën nga territori i Serbisë.

Pasi bëri homazhe te shtatorja e ish-komandantit të UÇK-së, Zahir Pahaziti, Kurti tha para gazetarëve se sulmet kishin për qëllim vrasjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Ai ka kërkuar hetime për zbardhjen e rastit. Policia e Kosovës është sulmuar nga granata dore, kallashnikov dhe mjete piroteknike në veri të vendit.

Goditja e parë ishte me thumba metalikë në rrugë. Policia dyshon se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Përveç dëmeve materiale nuk është raportuar për ndonjë zyrtar policor të lënduar.

“Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, as mbi qytetarët, por sulme mbi policet që kanë pasur për qëllim të vrasin. por fatmirësisht nuk kemi pasur dëme në njerëz dhe asnjë pjesëtar i PK-së nuk është lënduar. Organet e rendit do të bëjnë hetime për hapat tonë përpara. Me strukturat ilegale të Serbisë dhe krimit i organizuar nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga Qeveria e Kosovës, policia etj”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.