Parlamenti Europian jep një tjetër sinjal mbështetje për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut. Komisioni i punëve të jashtme të këti institucioni aprovoi me 66 vota pro, 4 kundër dhe 5 abstenim rezolutën e raportuesit Ilhan Kyuchyk lidhur me vlerësimin e Komisioni Europian për ecurinë e Maqedonisë së Veriut në integrimin europian në 2021. Kjo rezolutë i bën thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Europian që të aprovojnë sa më shpejt të jetë e mundur çeljen zyrtare të negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, si një investim në besueshmërinë e Bashkimit Europian, si dhe në stabilitetin, prosperitetin dhe proceset e vazhdueshme të pajtimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Eurodeputetët e komisionit të punëve të jashtme të Komisionit Europian venë theksin veçanërisht në kontekstin gjeostrategjik të marrëdhënieve me Rusinë dhe agresionit të saj kundër Ukrainës si një kontekst i ri në të cilin Bashkimi Europian duhet të ripeshojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë organizatë. Në këtë kontekst, raporti Kyuchyuk i bën thirrje Bashkimit Europian të vlerësojë në mënyrë kritike rrjedhojat historike të rëndësishme të sigurisë për stabilitetin dhe unitetin në kontinentin evropian dhe Ballkanin Perëndimor dhe të tregojë bashkimin dhe angazhimin e saj të plotë politik ndaj zgjerimit.
Eurodeputetët kanë shprehur hapur zhgënjimin e tyre për dështimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjë që sipas tyre ka minuar besueshmërinë e qytetarëve të këtyre vendeve në BE-në, duke venë në mëdyshje politikën e zgjerimit në tërësi. Eurodeputetët theksojnë sërish, se edhe Maqedonia e Veriut edhe Shqipëria kanë përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian dhe kanë ofruar rezultate të qëndrueshme. Në veçanti në raportin Kyuchyuk përgëzohen përpjekjet e vazhdueshme të vendit për të forcuar sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejtat e pakicave, progresin në kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimin e administratës së saj publike dhe konsolidimin e lirisë së medias.
Duke inkurajuar Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut që të gjejnë me shpejtësi një zgjidhje të pranueshme reciprokisht për çështjet dypalëshe që janë pezull për mosvonimin e mëtejshëm të hapjes së negociatave të anëtarësimit, eurodeputetët mirëpresin shtysën politike për angazhim konstruktiv midis të dyja palëve.
Raporti mirëpret angazhimin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut në kontekstin euro-atlantik dhe përgëzon përafrimin e plotë të vendit me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes të BE-së në përgjigje të agresionit rus kundër Ukrainës. Raporti gjithashtu vë në dukje rreziqet e rritjes së varësisë ekonomike dhe energjetike nga Kina dhe Rusia dhe është i shqetësuar se varësia nga kreditë e investimeve të financuara nga Kina e lë rajonin të pambrojtur.