Kryeministri britanik, Boris Johnson, sapo përsëriti edhe një herë para parlamentit britanik faljen e tij për thyerjen e rregullave anti-COVID gjatë kohës kur e tërë Britania ishte e mbyllur në karantinë.

Johnson thotë se ai e kupton lëndimin dhe zemërimin e shkaktuar në publik dhe tha se njerëzit kishin të drejtë të prisnin më mirë nga kryeministri i tyre.

Ai tha nuk i kishte shkuar ndërmend që mbledhja në dhomën e kabinetit në ditëlindjen e tij mund të përbënte shkelje të rregullave.

“Ky ishte gabimi im dhe për këtë kërkoj falje pa rezerva”, shtoi Johnson.

Boris Johnson dhe qeveria e tij janë akuzuar me të madhe muajve të fundit për thyerjen e rregullave gjatë fillimit të pandemisë, duke organizuar festa në ndërtesën e qeverisë gjatë kohës kur britanikët nuk mund të takonin as të afërmit e tyre për shkak të rregullores anti-COVID që ishte në fuqi gjatë asaj kohe.