23 vite nga rënia e dëshmorit Mujdin Aliu në Koshare, babai Qerim Aliu kujton bisedën e fundit: Më tha se do të shkonte në punë!

Sot (14 prill 2022) janë bërë 23 vite nga rënia heroike e heroit të kombit Mujdin Aliu nga Poroji i Tetovës në betejen e lavdishme të Kosharës, shkruan Open-TV. Babai i tij Qerim Aliu shprehet krenar për birin e tij që ka dhënë jetën për lirinë që gëzon sot populli i Republikës së Kosovës.
Ai mes tjerash ka kujtuar për Open-TV kujtoi bisedën e fundit që e ka bërë me djalin, ku ai i kishte thënë se po shkonte në punë. Në atë kohë Mujdini kishte qenë 24-vjeçar.
“Para se të kthehet që të shkoj edhe herën e dytë biseda e fundit ka qenë: Do të shkojë në punë. Çantën e kishte lënë në vendin e punës, e gjeta unë vet kur shkova të pyes për të, sepse nuk kisha asnjë lajm nga ai dy netë”, tha Qerim Aliu, i mërzitur dhe me lot në sy.
“14 prillin gjithmonë e presim me shumë mall. Mujdini më mungon shumë. Krenaria nganjëherë harrohet nga mungesa e madhe që e kam për të. Krenaria është e madhe, por mua si prind më duhet ta pranojë se më mungon shumë, shumë”, thotë ai.
Mujdin Aliu UÇK-së iu kishte bashkangjitur në vitin 1998, ndërsa dëshmor ka rënë një vit më vonë më 14 prill të vitit 1999 në betejën e lavdishme të Koshares gjatë luftimeve të ashpëra me ushtrinë pushtuese serbo-jugosllave.
Trupi i dëshmorit Mujdin Aliu është varrosur në vendlindjen e tij në fshatin Poroj, ku bashkëluftëtarët i kanë ngritur bustin e krenarisë kombëtare.
Beteja e lavdishme e Koshares është zhvilluar më 9 prill 1999, ndërsa njihet si ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së UÇK-së, ku edhe u thye kufiri në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.