Disa nga yjet më të mëdhenj të sportit të Ukrainës, përfshirë Wladimir e Vitali Klitschko, kanë marrë armët në duar për të luftuar kundër Rusisë së Vladimir Putinit.


Disa prej tyre kanë fituar gjithçka që mund të arrihet në fushat e tyre përkatëse, por tani ata po përballen me betejën e tyre më të vështirë,.

Ukraina është duke u përballur me agresionin rus për më shumë se dy javë, derisa lufta atje po vazhdon ende.

Ukrainasit po përpiqen që ta mbrojnë vendin e tyre dhe disa nga fytyrat më të famshme sportive janë pjesë e luftës atje.

Vitali dhe Wladimir Klitschko

Vëllezërit legjendarë të boksit janë në vijën e parë duke luftuar për vendin e tyre, derisa trupat ruse vazhdojnë të shkojnë drejt kryeqytetit për pushtim.

Dyshja shprehën përkushtimin e tyre për të luftuar për vendin e tyre dhe madje pranuan se do të jepnin jetën për të mbrojtur njerëzit e tyre.

Oleksandr Usyk

Usyk ishte në një turne në Londër përpara ndeshjes së kthimit me Anthony Joshuan, kur filloi pushtimi i vendit të tij.

Kampioni i botës në peshën e rëndë u kthye shpejt dhe e bëri të qartë se do të bëj maksimumin për të mbrojtur vendlindjen e tij.

Sergiy Stakhovsky

Vetëm një muaj pasi u tërhoq nga tenisi profesionist, Stakhovsky po ndihmon vendin e tij për të shmangur sulmet ruse.

36-vjeçari mbylli karrierën pas 19 vitesh në turne, teksa u bë i njohur për fitoren e tij ndaj Roger Federerit, në raundin e dytë të Wimbledonit në vitin 2013.

Sergei Rebrov

Ish-futbollisti dhe ikona e Dynamo Kyivit, duke shënuar mbi 160 gola për klubin gjatë dy periudhave të veçanta. Ai fitoi nëntë tituj kampioni në Ukrainë, së bashku me shtatë Kupa dhe madje drejtoi skuadrën si trajner për tre vjet, duke e fituar ligën dy herë.

47-vjeçari kishte luajtur edhe për klubet angleze Tottenham Hotspur e West Ham United, teksa bëri 75 paraqitje për Kombëtaren ukrainase.

Ai së fundmi ishte trajner te skuadra Al-Ain në Pro Ligën e Emirateve të Bashkuara Arabe, por u rikthye edhe ai për të mbrojtur vendin e tij.

Oleg Luzhnyi

Një tjetër ish-futbollist ukrainas, Oleg Luzhnyi, është ngritur për të mbrojtur vendin e tij.

53-vjeçari ka përfaqësuar vendin e tij 52 herë, duke qenë kapiten në 39 ndeshje dhe ka bërë mbi 250 paraqitje për Dynamo Kyivin.

Ai gjithashtu u bë ukrainasi i parë që fitoi Premier Ligën dhe gjithashtu ngriti Kupën FA dy herë me Arsenalin, transmeton Gazeta Express.

Vasily Lomachenko

Ish-kampioni i botës në boks ishte duke shijuar pushimet në Greqi në shkurt, por tani ai është shumë larg pushimeve pasi është në fushën e betejës duke rrezikuar jetën e tij për të ndihmuar vendin.

34-vjeçari konsiderohet si një nga luftëtarët më të mirë në botë në kategorinë e tij, duke fituar 16 nga 18 meçe.

Jaroslav Amosov

Yaroslav Amosov është kampioni në fuqi i Bellator MMA në peshën e lehtë dhe aktualisht është i pamposhtur me 26 fitore. Ai ishte planifikuar të përballej me Michael Page në Londër në maj.

Por, ashtu si rastet me sportistët tjerë nga Ukraina, edhe planet e tij u pezulluan, derisa ai po merr pjesë për të ndihmuar vendin e tij t’i mbijetojë luftës.

Yuriy Vernydub

Gjashtë muaj pasi skuadra e Sheriff Tiraspol mahniti botën e futbollit me një fitore 2:1 ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve, ai është në vijën e parë duke luftuar për Ukrainën.

Skuadra e tij u bë e para nga Moldavia që mori pjesë në garën më prestigjioze për klube.

Pasi përfundoi i treti në grupi, Sheriff Tiraspol pastaj ra në Ligën e Evropës. Megjithatë, sapo filloi lufta, trajneri 56-vjeçar hoqi dorë nga futbolli për të mbrojtur vendin e tij.

Vernydub është trajner futbolli për më shumë se 20 vjet, por ndihma e tij ndaj agresionit rus është akti i tij më i madh i udhëheqjes deri më tani.

Përveç këtyre emrave, natyrisht se ka edhe sportistë tjerë ukrainas që janë pjesë e luftës. Pavarësisht famës, padyshim se kontributi i tyre është i njëjtë dhe i rëndësisë së madhe.