Përtej deklaratës së Ministres së Financave, për arritjen e një marrëveshjeje mes qeverisë dhe furnizuesve për ushqimet bazë, në terren ajo nuk duket se po funksionon.


Për më keq, shitësit e mëdhenj po largojnë ata të vegjlit duke ju thënë se nuk kanë mall.

Punëtori: Kjo goca kërkon vaj.

Pika e shumicës: Nuk ka.

Punëtori: Nuk bëjmë dot shitje.

Gazetarja: Pse?

Punëtori: Nuk ka vaj. Nuk kemi fare.

Por kjo nuk është e vërtetë. Në vëzhgimin që kreu Top Channel rezulton që vaji që shkuam për të blerë me shumicë është gjendje. Por furnizuesit nuk duan ta shesin me çmimin e rënë dakord në Bordin e monitorimit dhe zgjedhin të mashtrojnë në këtë mënyrë konsumatorët.

Biseda Telefonike:

Dyqani i lagjes: Për vajin desha të të pyes.

Furnitori: Nuk kam asnjë litër vaj.

Dyqani i lagjes: Pse?

Furnitori: Po nuk kam. Nuk ia vlen. Firma tani nëse të japin, e japin vajin me 290 lekë dhe maksimumi mund ta shesësh me 305 lekë se është me vendim qeverie. Nëse të gjejnë vaj që e shet më shumë se 305 litri të gjobisin.

Dyqani i lagjes: Po ne që e kemi marr më parë 320 lekë?

Furnitori: Do e bësh si puna ime që po të them nuk kam, ose shite 305 çfarë të të them unë! Unë nuk kam ndërmend ta shes 305 lekë se s’kam ndërmend të humbas lekë. Se shes me aq, se s’mi ka falur njeri lekët.

Nëse kjo situatë nuk vihet në vëmendjen e bordeve të kontrollit, situata e mallrave në treg do të përkeqësohet. Nuk do rriten çmimet, por do ushqimet do të zhduken nga tregu, nga vetë tregtarët, të pa interesuar për furnizimet me ushqime, por vetëm për fitimet e tyre.