Në mediat sociale janë publikuar për herë të parë pamje nga sistemi raketor TOS-1a i Rusisë. Sipas asaj që raportohet, pamjet tregojnë lëshuesin e shumfishtë termobarik duke qëlluar raketat në drejtim të Ukrainës.


Por çfarë janë armët termobarike?

Rusia është akuzuar për përdorimin e tyre, të njohura edhe si bomba me vakum. Këto bomba janë shumë më shkatërruese se eksplozivët konvencionalë të përmasave të ngjashme dhe kanë një ndikim të tmerrshëm te këdo që është në rrezen e tyre të shpërthimit.

Si funksionon një bombë termobarike?

Një bombë vakum, e quajtur gjithashtu një bombë termobarike, përbëhet nga një enë karburanti me dy ngarkesa të veçanta shpërthyese.

Ajo mund të lëshohet si një raketë ose të hidhet si një bombë nga avioni. Kur godet objektivin e saj, ngarkesa e parë shpërthyese hap kontejnerin dhe shpërndan gjerësisht përzierjen e karburantit si një re.

Kjo re mund të depërtojë në çdo hapësirë në ndërtese ose që nuk është plotësisht e mbyllur. Një ngarkesë e dytë më pas shpërthen renë, duke rezultuar në një top zjarri të madh duke shkaktuar një valë masive shpërthimi dhe një vakum që thith të gjithë oksigjenin përreth. Arma mund të shkatërrojë ndërtesa të përforcuara, pajisje dhe të vrasë ose plagosë njerëz.

Ato përdoren për një sërë qëllimesh dhe vijnë në një sërë madhësish – duke përfshirë armë për përdorim nga ushtarë individualë, si granata dhe raketa-hedhës dore.

Kur shpërthejnë, përveç se djegin gjithçka, ato shkulin e organet e ushtarëve nga vendi nëse ndodhen pranë rrezes.

Janë projektuar gjithashtu versione të mëdha të lëshuara nga ajri, veçanërisht për të vrarë ushtarë të future në shpella apo komplekse tunelesh. Efektet e kësaj arme janë më të rënda në hapësirat e mbyllura.

Në vitin 2007, Rusia testoi armën e saj më të madhe termobarike, të ashtuquajturin “Babai i të gjitha bombave”. Ai krijoi një shpërthim të barabartë me një bombë konvencionale 44 ton – duke e bërë atë pajisjen shpërthyese jo-bërthamore më të madhe në botë.

Duke pasur parasysh ndikimin e tyre shkatërrues dhe dobinë e tyre kundër mbrojtësve që janë gërmuar në ndërtesa ose bunkerë, bombat me vakum janë përdorur kryesisht në mjediset urbane.

Kjo është domethënëse duke pasur parasysh zhvillimet në terren në Ukrainë, ku forcat ruse po përpiqen të marrin kontrollin e kryeqytetit, Kievit, dhe qyteteve të tjera kryesore në lindje të vendit. /abcnews.al/