Presidenti rus Putin ka shprehur dëshirën për t’u ulur në të njëjtën tryezë me homologun e tij ukrainas Zelensky, shkruan Alsat.


Pas bisedës telefonike Putin-Erdogan, këshilltari i presidentit turk ndau detaje në një intervistë për BBC, duke zbuluar se Moska ka dy kategori kërkesash për t’i dhënë fund luftës. Për kategorinë e parë, thotë ai, që i referohet neutralitetit ushtarak të Ukrainës, marrëveshje që mund të arrihet lehtësisht. Por ai shtoi se për kategorinë e dytë të kërkesave, Putin tha se do të duhej të negocionte privatisht me Zelenskin. Ato i referohen njohjes së sovranitetit rus mbi Krimenë, si dhe pranimit të Donetskut dhe Luhanskut si republika të pavarura.

Përgjigje arriti edhe nga Kievi. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitri Kuleba i tha gazetës ukrainase Pravda se Zelenski është gati për negociata.

“Nëse lideri rus tregon gatishmëri, ata mund të takohen që nesër, pasnesër. Zelenski është gati për atë takim. Pozicioni i tij është i qartë, i formuar për të gjitha çështjet dhe Ukraina është e gatshme për këto negociata”, deklaroi Dmitri Kuleba – Ministër i Punëve të Jashtme të Ukrainës.

Sot, Putin, në një bisedë telefonike me kancelarin gjerman Olaf Sholc, akuzoi Kievin se po përpiqet t’i vonojë bisedimet duke bërë propozime joreale. Zëdhënës i Kremlinit tha gjithashtu në një audio deklaratë se delegacioni ukrainas duhet të jetë më energjik në negociata.

“Delegacioni rus është gati të punojë shumë më shpejt. Fatkeqësisht, delegacioni ukrainas nuk tregon gatishmëri për të përshpejtuar negociatat me Rusinë”, tha Dmitri Peskov – zëdhënës i Kremlinit.

Në fillim të negociatave mes dy delegacioneve para disa javësh, Zelenski tha se nuk pret shumë përparim nga takimet në atë format dhe kërkoi që të takohet menjëherë me Putinin. Më pas negociatorët rusë u përgjigjën se takimi i dy presidentëve do të bëhet kur të ketë zgjidhje konkrete të mundshme. Gazeta britanike The Financial Times raportoi së fundmi se ekziston projekt-marrëveshje prej 15 pikash për armëpushim./Alsat.mk