Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri realizoi takim me përfaqësuesen e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut, Patricia Di Xhovani , së cilës Ju faleminderua për mbështetjen që kjo organizatë e Kombeve të Bashkuara e jep në procesin e ngritjes së cilësisë së arsimit në vendin tonë.


“UNICEF-i është partner i rëndësishëm i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që kontribuon në zhvillimin e disa segmenteve të rëndësishme të arsimit, ndërsa veçanarisht jam mirënjohës që ndihmuan shumë gjatë periudhës së pandemisë Covid 19 që të mundësojmë që procesi arsimor të mos ndërpritet, gjegjësisht të vazhdojë të zbatohet dhe të parandalohet krijimi i zbrazëtirave të mëdha në njohuritë e nxënësve”, tha Shaqiri.

Gjatë takimit, ministri njoftoi për politikat dhe angazhimet aktuale të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës lidhur me vazhdimin e reformave, veçanërisht në fushën e arsimit fillor, duke shtuar se me përshtatje të caktuara sipas situatës aktuale, do të mund të bëhen ndryshime për të dhënë efektin e pritur. Ai gjithashtu potencoi se janë përgatitur ndryshime në disa ligje që rregullojnë këtë fushë dhe të cilët së shpejti do të gjenden në procedurë parlamentare.

“Për këtë çështje do të kërkoj konsenzus më të gjërë politik, duke ftuar edhe faktorët politik të opozitës, e poashtu edhe trupat profesionalë, mësimdhënësit dhe prindërit që të kontribuojnë në miratimin e versioneve më të mira të zgjidhjeve ligjore që do të ofrojnë më shumë të drejta dhe mundësi për nxënësit, mësimdhënësit , studentët e kështu me radhë”, u shpreh ministri.