Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri sot takoi drejtoreshën e Korpusit Amerikan të Paqes në Maqedoninë e Veriut Deborah Koner, ku diskutuan për rezultatet e bashkëpunimit aktual në fushën e arsimit, si dhe qëllimet që do të jenë në fokus të aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen.


“Më vjen mirë që Korpusi i Paqes vazhdon të jetë partner i Ministrisë së arsimit dhe shkencës në përpjekjet e saj për promovimin e segmenteve të rëndësishme të sistemit arsimor dhe veçanërisht për ngritjen e nivelit të inkluzivitetit. Besoj se në të ardhmen do të mund t’i përkushtohemi edhe aspekteve tjera, sepse shoh që edhe ju keni vullnet të fortë për të ndihmuar vendet në zhvillim dhe një mbështetje e tillë është më se e mirëpritur, sidomos tani që po përballemi me zbatimin e reformave në arsim”, tha ministri Shaqiri.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për përpjekjet e vullnetarëve të organizatës për zgjerimin e mësimit të gjuhës angleze në shkollat e vendit, gjë që, siç tha ai, ndihmon të rinjtë tanë të zhvillojnë aftësitë gjuhësore, një nga elementet më të rëndësishme që kërkohen në tregun e punës.

Drejtoresha e Korpusit të Paqes, Deborah Koner, tha se organizata është e gatshme të vazhdojë të ofrojë mbështetje për vendin në shumë sfera dhe segmente sociale, por prioritet do të jetë gjithmonë përmirësimi i sistemit që prodhon kapital njerëzor, si faktori më i rëndësishëm për zhvillimin.

Korpusi i Paqes është një organizatë joqeveritare amerikane që punon për paqen dhe shoqërinë në botë. Organizata punon përmes vullnetarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në komunitetet lokale për dy vjet. U themelua në vitin 1961 nga presidenti Xhon F. Kenedi. Më shumë se 7.000 vullnetarë të SHBA-së gjatë 2 dekadave të fundit i kanë zbatuar parimet e Korpusit të Paqes në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kanë kontribuar në përpjekjet për përmirësimin e gjendjes së arsimit, zhvillimin e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe promovimin e vendit.