Ndërsa bota po punon së bashku në solidaritet për të pritur 2.5 milionë refugjatë ukrainas, më shumë se 200,000 rusë janë larguar gjithashtu nga vendi i tyre.


Gjithnjë e më shumë të rinj me arsim të lartë që nuk pajtohen me Putinin dhe i frikësohen persekutimit nëse shqiptojnë gabim një fjalë, po ikin nga Rusia

“Shumë nga miqtë e mi tashmë kanë ikur ose po planifikojnë të ikin,” thotë profesori i UGent Koen Schoors.

Raportet e para të eksodit nga Rusia shfaqen në gazetën New York Times. Gazeta shkruan për grupe të mëdha të rinjsh rusë që po enden në rrugët e kryeqytetit turk Stamboll në kërkim të një vendi për të kaluar natën.

Ata po qëndrojnë të dëshpëruar para bankomatëve ku u refuzohen të tërheqin paratë, tani që Visa dhe Mastercard po pezullojnë bashkëpunimin me Rusinë.

Rusët e informojnë njëri-tjetrin përmes Telegram dhe Whatsapp për të mësuar se në cilat lokale mund të shkëmbejnë ende rubla.

Një i ri rus tregon në mënyrë anonime – sepse ka frikë se sigurimi i shtetit po skanon mediat e huaja – pse ka ikur nga Rusia.

“Stërgjyshja ime jetonte ende nën diktaturën e Stalinit. Ajo fliste shpesh për spastrimet ndaj intelektualëve me ide të devijuara. Gjatë javëve të fundit kam dëgjuar shumë të moshuar të thonë: Ato kohë po kthehen.

Brezi i vjetër na nxit të ikim nga vendi. Shumë nga bashkëmoshatarët e mi po e bëjnë këtë, po ikin. Brezi ynë ka ndjesinë se nuk kemi asgjë për të humbur. Puna jonë, kursimet tona në bankat ruse, jeta jonë e shtresës së mesme; janë tashmë një iluzion. E pra, nuk ia vlen të rrish më në Rusi. Prandaj ika në Stamboll.”

Nuk është hera e parë që Stambolli bëhet një strehë për rusët. Edhe në vitin 1920, më shumë se 100,000 rusë u larguan në kryeqytetin turk nga frika e bolshevikëve dhe epokës së Leninit.

Por tani ka një arsye më shumë. Turqia është i vetmi vend ku mund të fluturojnë nga Rusia, sepse vendet e tjera evropiane mbyllën hapësirën e tyre ajrore ndaj Rusisë. Ata që nuk mund të fluturojnë për në Stamboll ikin nga toka në Gjeorgji, Armeni, Uzbekistan ose Kazakistan.