Kush mbjell uri, do të korr revoltë”, ishte kjo një nga pankartat që mbanin në duar në ditën e 5 të protestës qytetare në Shqipëri. Në Tiranë, disa protestues u ulën këmbëkryq si formë për t’i bërë rezistencë tentimit të policisë për t’i larguar. Protestuesit kërkuan t’u mundësohet të jetojnë dinjiteshëm.


Ndikimit të gjendjes së krijuar nga rritja e çmimeve nuk i kanë shpëtuar as fëmijët, që edhe pse ndoshta nuk kuptojë mirë situatën, përcjellin atë që dëgjojnë nga të rriturit. Një vajzë e vogël mori mikrofonin duke iu drejtuar protestuesve dhe duke ofenduar kryeministrin Edi Rama.

“Nuk i përballojmë dot çmimet o Edi Rama. Pak që po na bëni dhe projektin e prishjes së shtëpive në kodrën e Priftit. Ku do të shkojmë ne? Nuk i kemi lekët siç i keni ju. Ju vidhni taksat tona. Ulini çmimet dhe na rrisni rrogat” , tha njw vogëlushe pjesë e protestës.

Protestuesit në qytetet tjera në mesin e të cilëve edhe në Kukës, kërkuan në mënyrë paqësore që t’u mundësohet të jetojnë dinjiteshëm dhe të mos vuajnë për plotësim të kushteve elementare.

“Kërkojmë që të jetojmë, të kemi mundësinë për të jetuar në mënyrë dinjitoze në vendin tonë, në shtëpinë tonë. Buxheti I shtetit ka para shumë, janë në SPAK të gjitha dosjet që tregojnë se si keqadministrohet buxheti I shtetit. Thirri mendjes, zotëri, thirri mendjes mirë”, u shpreh njw protestues.

Kryeministri Edi Rama nuk kurseu edhe komentet për protestuesit.

“Ne nuk jemi këtu të ulim naftën pë rata që duan të furnizojnë fuoristradat apo X5 për të bllokuar rrugët atje dhe për t’I mbajtur njerëzit në rrugë në këtë kohë lufte për turpin e dheut, ndërkohë që e gjithë bota del në protesta për t’u solidarizuar me ata të shkretët që I kanë bombat mbi kokë”, tha kryeministri shqiptar Edi Rama.

Kryeministri Rama sqaroi sot qytetarët se të gjithë ata që përdorin linjat urbane, ndër urbane nuk do të kenë rritje të çmimit të biletës. Ai theksoi se koston shtesë do e paguajë qeveria dhe për këtë do të jepen 5 milionë dollarë. Rama tha se në kuadër të paketës për rezistencë sociale po realizohen negociata me Serbinë për sasinë e grurit të kontraktuar para se Beogradi të bllokonte eksportet.