Parlamenti i Estonisë të hënën bëri thirrje për krijimin e një zone ndalim-fluturimi në Ukrainë, ndërsa sulmet ruse vazhdojnë në të gjithë vendin.


“Riigikogu u kërkon vendeve anëtare të OKB-së që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të krijuar një zonë ndalim-fluturimi në mënyrë që të parandalohen viktima masive civile në Ukrainë”, thuhet në një deklaratë, shkruan Fox News.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i pyetur më herët për qëndrimin e Kombeve të Bashkuara në lidhje me zbatimin e zonës së ndalim-fluturimit, tha se “është një çështje që siç e dini është analizuar nga një numër vendesh që e konsideruan këtë mundësi si një rrezik të përshkallëzimit që mund të krijojë një konflikt global”.

“Është e bazuar në atë analizë që unë mendoj se ne duhet të jemi të matur — edhe pse e kuptoj apelin dramatike të qeverisë ukrainase,” shtoi ai.

Estonia është vendi i parë anëtar i NATO-s që kërkoI zyrtarisht zbatimin e një zone të ndaluar fluturimi në mes të pushtimit të vazhdueshëm të Rusisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i është lutur Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë që të zbatojnë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.

Por, presidenti Joe Biden dhe NATO e kanë përjashtuar një gjë të tillë, duke thënë se zbatimi i tij do të vinte SHBA-në dhe NATO-n në konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe do të zgjeronte konfliktin.