Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur se zgjedhjet serbe të 3 prillit edhe në Kosovë mund të mbahen vetëm nëse paraprakisht do të ketë një marrëveshje ndërmjet dy shteteve.


“Zgjedhjet serbe në Kosovë do të jetë e mundshme vetëm pas një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto janë zgjedhje të një shteti tjetër, jo të Kosovës”, tha Kurti në RTK.

Kurti tha se e di që vendet e QUINT-it dhe BE-ja e kanë kritikuar për shkak të mos lejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë, por ai shtoi se Serbia po tregohet destruktive në raport me Kosovën dhe se një gjë të tillë ia ka bërë të ditur gjatë takimeve me zyrtarë të QUINT-it.

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për atë që ajo e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

Detajet e propozimit të QUINT-it ende nuk janë bërë të ditura, por zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se ka pa saktësi në konstatimin se Kosova ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë do të ishte jo kushtetuese.

“Ne nuk kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është jo kushtetuese. Por, mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovim të institucioneve të Kosovës, si instancë sovrane, pas një kërkese nga institucionet e Serbisë, është jo kushtetuese”, tha Bislimi gjatë raportimit sot para një komisioni parlamentar.

Kurti dje gjatë takimit virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, tha se për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.