“Bota duhet të pranojë se Rusia është bërë një shtet terrorist”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski pas bisedimeve me kryeprokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Kan, i cili tashmë ndodhet në Ukrainë dhe ka nisur një hetim mbi denoncimet për vrasjen e civilëve, shkruan Alsat.


“Udhëtuam nëpër Poloni, kur erdhëm dhe pamë se çfarë po ndodhte, ne dokumentuam, si dhe pamë gjithashtu foto nga Mariupoli dhe vende të tjera në Ukrainë se si vuajnë njerëzit, si vuajnë fëmijët, gratë, burrat. Ligjet ekzistojnë për të mbrojtur këta njerëz”, deklaroi Karim Kan, Kryeprokuror i Gjykatës Ndërkombëtare, për Krimet e Luftës.

Presidenti amerikan Xho Bajden e ka quajtur Putinin “kriminel lufte”, dhe Kremlini thotë se një deklaratë e tillë është e papranueshme dhe e pafalshme.
“Vlerësojmë se ai është një kriminel lufte”, tha Xho Bajden, President i Shteteve të Bashkuara.

Sot edhe Ministrja e Jashtme britanike Liz Tras i tha radios BBC, se kishte prova të forta se Putin ishte kriminel lufte.

Ndërkohë, u bë e qartë se Rusia nuk do të respektojë urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së, për t’i dhënë fund veprimeve luftarake. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, tha se vendimi i gjykatës nuk do të merret fare parasysh.

“Ka një rregull në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për pajtueshmërinë e palëve. Këtu nuk ka pasur pajtueshmëri, dhe prandaj nuk do t’i japim rëndësi këtij vendimi”, u shpreh Dmitry Peskov, Zëdhënës i Kremlinit.

Dje, ekipi ligjor rus vendosi të mos merrte pjesë në sallën e gjyqit, ku Rusia u urdhërua të pezullonte operacionin ushtarak, si masë e përkohshme derisa të merret aktvendimi. Urdhri u miratua me 13 vota “pro”, dhe dy “kundër”, nga gjykatësi rus dhe kinez.

“Gjykata rithekson se urdhrat e saj për masat e përkohshme, në përputhje me Statutin, janë të natyrës detyruese dhe në këtë mënyrë krijojnë detyrime juridike ndërkombëtare për palën të cilës i drejtohen masat e përkohshme”, deklaroi Xhoan Donahju, Gjykatës.

Derisa Moska vë në pikëpyetje juridiksionin e gjykatës së Hagës mbi këtë lëndë, presidenti ukrainas Zelensky e mirëpriti urdhrin, duke thënë se moszbatimi i tij do ta izolonte më tej Rusinë. / Alsat.mk